200 mijë vaksina kineze pritet të arrijnë deri në fund të shkurtit

Procesi i vaksinimit filloi dje me vaksinat nga kompania Fajzer të cilat ishin donacion nga Republika e Serbisë. Por Qeveria po shqyrton edhe vaksinat kineze të kompanisë “Sinofarm”, por kjo nuk do të thotë heqje dorë nga vaksinat e Fajzerit. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe për TV21, tha se kompania Fajzer është kompania e parë që ka marrë të gjitha dokumentet e nevojshme, por nuk arrijnë t’i dorëzojnë sasitë e kërkuara në të gjitha vendet.

“Dhe tani po i shqyrtojmë më intensivisht edhe mundësitë për furnizimin e vaksinës kineze, pse? Jemi të vetëdijshëm, me sa duket se kompanitë tjera, Fajzeri është kompania e parë që i ka marrë të gjitha dokumentet e nevojshme prej organeve rregullatore për të qenë në shitje, megjithatë nuk arrijnë dot t’i dorëzojnë sasitë e kërkuara në të gjitha vendet e botës, duke përfshirë edhe vendet më të mëdha”, u shpreh Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut, Xhang Suo i tha TV21, se Kina do ta furnizojë KOVAKS-in me 10 milionë doza të vaksinës, sigurisht në bazë të kërkesës së OBSH-së.

“Meqenëse epidemia është ende duke u përhapur dhe se situata për parandalimin dhe vënien nën kontrollin e saj në vende të ndryshme mbetet ende serioze, Kina ka vendosur të furnizojë KOVAKS-in me 10 milionë doza vaksinash në bazë të kërkesës së OBSH-së. Vetë shteti i Kinës po ballafaqohet me një kërkesë të madhe për vaksinimin e popullatës vendore, por po bën çmos t’i tejkalojë pengesat dhe të kryejë pjesën e saj për të promovuar shpërndarjen e barabartë të vaksinave, duke i promovuar ato si një e mirë kineze përdorin një teknologji të vërtetuar, dhe duke gjykuar prej të dhënave të deritashme të testimeve klinike të fazës së tretë, vaksina kineze është efikase dhe e sigurt”, tha Xhang Suo – Ambasador i Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut.

Ministri Filipçe, por edhe kryeministri Zaev, kanë njoftuar se 200 mijë vaksinat kineze pritet të arrijnë deri në fund të muajit shkurt.