Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot në kabinetin e tij zhvilloi një takim pune me ministren e Arsimit dhe Shkencës, znj. Milla Carovska dhe ish ministrin dhe deputetin Arbër Ademi, informon GAZETA.MK
Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit diskutuan për koncepcionin e reformave në arsim dhe për Ligjin për librat shkollorë për arsim fillor dhe të mesëm.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi, ministrja e arsimit Carovska dhe deputeti Ademi u dakorduan që në përputhje me Ligjin për librat shkollor për arsim fillor dhe të mesëm të shqyrtohen dhe korrigjohen të gjitha parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore duke nisur menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme.
Tre bashkëbiseduesit gjithashtu u dakorduan se në rastin konkret, me librin e gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme si dhe me librat tjerë, do të aplikohet neni 26, paragrafi 2 i Ligjit për librat shkollor. Në këtë pjesë të ligjit thuhet se tërheqja e teksteve shkollore nga përdorimi bëhet nëse të njëjtat përmbajnë materie e cila ofendon historinë, kulturën dhe vlerat në përgjithësi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, znj. Milla Carovska gjithashtu u pajtuan se në kuadër të këtij vendimi gjatë periudhës në vijim do të shqyrtohen të gjitha tekstet e tjera shkollore me qëllim që njëherë e mirë tu jepet fund këtyre dukurive, përkatësisht shtrembërimeve nëpër këto tekste shkollore.
Në fund të këtij takimi, Grubi, Carovska dhe Ademi u dakorduan që bashkë të përkrahin reformat në arsim duke i cilësuar ato si një nga reformat më se të nevojshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut.