GJUHA SHQIPE TË JETË E OBLIGUAR, JO E HUAJ. Ylber Sela i shkruan ministres Carovska

Gjuha shqipe në shkollat fillore duhet të jetë e obligueshme dhe jo në listën e gjuhëve të huaja si lëndë e zgjedhur. Kjo është kërkesa e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa kërkohet respektimi i realitetit të ri shoqëror në pajtim me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve dhe përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri për të gjithë qytetarët. Në një letër drejtuar ministres Milla Carovska, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve shkruan se në Konceptin e ri për arsimin fillor, patjetër duhet të kihet kujdes ndaj respektimit të parimeve të barazisë, kohezionit ndëretnik dhe multikulturalizmit, shkruan gazeta KOHA.

“Koncepti për arsimin fillor duhet të ketë parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të arsimit fillor në zhvillimin e personalitetit të nxënësit, përfaqësimin etnik të popullatës, realitetin e ri shoqëror me hyrjen në fuqi të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve dhe përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri për të gjithë qytetarët, e cila kryesisht arrihet nëpërmjet studimit, përkatësisht njohjes së gjuhës së bashkëqytetarit, përkatësisht të shokut të klasës. Gjatë kësaj, në Konceptin e ri për arsimin fillor, patjetër duhet të kihet kujdes ndaj respektimit të parimeve të barazisë, kohezionit ndëretnik dhe multikulturalizmit. Në këtë kontekst, në vend të të mësuarit të gjuhës shqipe si gjuhë e huaj nga lista e lëndëve zgjedhore për nxënësit, gjuha amtare e të cilëve nuk është gjuha shqipe, është i nevojshëm vlerësimi adekuat i rolit dhe i nevojës për të mësuarit e gjuhës shqipe në aspektin e respektimit të parimeve të përmendura më parë, në mënyrë që gjuha shqipe të mësohet si gjuhë zyrtare e mjedisit jetësor”, shkruan në letrën që AZGJ i ka drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Procesi edukativo-arsimor dhe kryerja e veprimtarisë së arsimit fillor, i rregulluar me Ligjin e Arsimit Fillor, realizohet mbi një numër të konsiderueshëm nxënësish nga klasa I deri në klasën IX në një numër të caktuar shkollash. Pozicionimi i gjuhës shqipe si gjuhë e huaj, thuhet më tej në letër, siç propozohet me Konceptin e ri për arsimin fillor, paraqet një qasje të gabuar dhe nuk kontribuon në realizimin e angazhimit të deklaruar për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike. “Propozimi në këtë drejtim përfshin mësimin e gjuhës shqipe në një mënyrë të atillë që, në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku të paktën 20% e qytetarëve flasin një gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja (sidomos në mjedise me mbi 50%), mësimi i gjuhës shqipe të jetë i detyrueshëm për të gjithë nxënësit, siç është gjuha maqedonase për nxënësit, gjuha amtare e të cilëve nuk është gjuha maqedonase, me të njëjtin numër orësh në javë. Në ato njësi të vetëqeverisjes lokale ku përqindja e përfaqësimit është nga 10% deri në 20%, gjithashtu gjuha shqipe duhet të jetë e detyrueshme, por me një numër të zvogëluar të orëve (një herë në javë), kurse në mjediset ku përqindja e përfaqësimit është deri në 10 %, gjuha shqipe të ofrohet si lëndë zgjedhore”.

Në letrën e firmosur nga drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, mes tjerash kërkohet edhe që, në kontekstin e mësimit dhe njohjes së gjuhës shqipe, në të ardhmen – gjatë punësimit në institucionet e sektorit publik në mjedise ku të paktën 20% e qytetarëve flasin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare e mjedisit, personi, gjuha shqipe e të cilit nuk është gjuha e tij amtare, duhet të japë një provim me të cilin do të tregojë njohuri të mjaftueshme të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe e punës në institucionin ku punësohet. “Mësimi i gjuhëve në arsimin fillor, por edhe në të gjitha nivelet e arsimit, duhet të bazohet në përvojat më të mira të demokracive perëndimore të cilat e kanë zbatuar me sukses këtë koncept dhe me qëllim të funksionimit të mirë të sistemit shoqëror të një natyre multietnike, pozita e gjuhës shqipe në konceptin e ri të arsimit fillor duhet të bazohet në realitetin e sotëm në korelacion me përpjekjet e qeverisë për të ndërtuar një shoqëri të barabartë për të gjithë qytetarët”, përfundon letra e AZGJ drejtuar ministres Milla Carovska.

Në ndërkohë, zyrtarë shqiptarë në Qeveri vazhdojnë të heshtin ndaj Konceptit të ministres Carovska, e cila duke u thirr në reforma në arsimin fillor, ka vënë gjuhën shqipe në listën e gjuhëve të huaja, si lëndë zgjedhore për nxënësit joshqiptar, përkundër asaj se në shtet – gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase është edhe gjuha shqipe. Për të qenë ironia edhe më e madhe, së fundmi, kryeministri Zoran Zaev propozoi që edhe gjuha serbe të vihet në listën e lëndëve të zgjedhura, bashkë me gjuhën shqipe, anglishten dhe gjuhë tjera që mësohen në arsimin fillor. Ekspertë të proceseve arsimore në vend kanë reaguar ndaj tentimit të Carovskës dhe Qeverisë për të minuar pozicionin e shqipes në shkollat fillore, ndërsa Konceptin e ka kundërshtuar edhe opozita shqiptare. Në ndërkohë, sot (e premte), në Parlament do të mbahet debati publik për Konceptin e ri për arsimin fillor.