Zënkë e pazakontë në rrjetet sociale mes politikanëve rreth përkatësisë etnike të Goce Dellçevit, teksa Shkupi e Sofja po e shënojnë ndaras 149 vjetorin e lindjes së tij. Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri, Zaev shkroi se nuk mund të mohohet kontributi historik i Dellçevit në formimin e shtetit maqedonas.
Si inspirues dhe shtytës i organizatës revolucionare maqedonase, Goce Dellçev gjithmonë bënte thirrje për unitet në sfidat politike para të cilave është vënë shteti. Idealet dhe angazhimet e tij janë obligimi ynë i përbashkët, të vazhdojmë të ndërtojmë shtet me progres në demokraci e ekonomi, që sot është anëtar i NATO-s dhe vend që shkon drejt anëtarësimit në BE’ shkruan Zoran Zaev.
Në postimin e Zaevit komentoi eurodeputeti bullgar, Angell Xhambaski duke i thënë:
Zoran Zaev sërish më duhet të ta kujtoj se organizata revolucionare maqedonase është bullgare. Ndërsa Gjorgji (Goce) Nikollov Dellçev, i lindur në familje bullgare, në qytetin bullgar Kukush, u vetë-identifikua si mësues bullgar, oficer bullgar, revolucioner bullgar’ shkruan Angell Xhambaski, eurodeputet bullgar.
Në debat u përfshi edhe kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski duke iu kundërpërgjigjur Xhambaskit.
Meqë e shoh se kryeministri Zaev vendosi të mos i mbrojë interesat maqedonase, do të të përgjigjem se VMRO është Maqedonia, ndërsa Goce Dellçev maqedonas dhe është një nga personalitetet më të ndritura në historinë maqedonase’ u përgjigj Hrsitijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së.
Ndëkohë qëndrime të ngjashme me ato të Xhambaskit shprehu edhe zv/kryeministrit bullgar, Karakaçanov, i cili në profilin e tij shkroi se Goce Dellçevi u flijua për ekzistencën e Bullgarisë, respektivisht për lirinë e popullit bullgar në Maqedoni. “Nuk do të lejojmë që Goce Dellçev të asimilohet pas vdekjes, shtoi ai.
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov nga ana tjetër u tregua më neutral. Në profilin e tij, Borisov shkroi se Goce Dellçevi është një nga heronjtë më të njohur të historisë së përbashkët. E madje shprehu shpresën që vitin e ardhshëm, jubileun, 150 vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit ta shënojë bashkërisht me siç tha “miqtë dhe vëllezërit nga Maqedonia, të bashkuar në rrugën e integrimit evropian.”
Ndërkohë opozita maqedonase kritikoi Qeverinë që në ngjarjen e sotme nuk morën pjesë krerë të lartë shtetëror, por vetëm zv/ministri për vetëqeverisje lokale, Zoran Dimitrovski, i cili vendosi kurora lulesh pranë varrit të Goce Dellçevit.