Kujdes më i madh dhe respektim i përpiktë i masave – kjo është mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e llojit të ri britanik të koronavirusit, paralajmërojnë ekspertët. Mikrobiologu Nikolla Panovski thotë se ka prova shkencore që konfirmojnë se transmetimi i infeksionit me këtë lloj është rreth 50% më i shpejtë.
“Nëse kemi 10 vetë, ata do të infektojnë 15. Ndërsa, deri më tani do të infektonin 10. Ky është një numër i madh. Grumbullimet masive do të kontribuonin që ky virus që përhapet më shpejt, ngjitet më lehtë në hundën tonë, në mukozën e hundës, do të krijonte një pik të ri, raste të reja nëpër spitale dhe vdekje të reja. Pra, assesi të ketë grupime, veçanërisht në ambiente të mbyllura, sepse atëherë përhapja është më e madhe dhe do të ishte më e madhe se sa në nëntor”, tha Nikolla Panovski – mikrobiolog.
Sipas Panovskit, ka informacion në lidhje me llojin e ri të virusit se ai pjesërisht tregon pasqyrë tjetër klinike.
“Mungon simptoma e humbjes së shijes dhe nuhatjes që ishte në variantin e mëparshëm. Pra, ka disa të dhëna për pasqyrë tjetër klinike, vdekshmëria është ose pak më e lartë ose nuk është. Megjithëse nuk është vdekjeprurëse në mënyrë individuale, shohim vdekshmëri te një grup më i madh i pacientëve, do të rritet edhe vdekshmëria. Sa më shumë të sëmurë, sa më shumë të shtrirë, aq më shumë raste të vdekjes”, pohoi Nikolla Panovski- mikrobiolog.
Viktima e parë e mutacionit të ri të virusit tashmë është regjistruar në Maqedoninë e Veriut kurse deri më tani dy pacientë janë infektuar. Për shkak të rrezikut të përhapjes së shpejtë të virusit, shumë vende evropiane ndërmarrin masa më kufizuese dhe mbylljen e kufijve. Komisioni për sëmundje infektive në vend nuk rekomandon masa të reja për momentin. Mbetet mbajtja e detyrueshme e maskave, ruajtja e distancës dhe ndalimi i grupimit.