Tashmë ka nisur protesta për rastin “Monstra”. Protestuesit nga parku i Çairit do të vazhdojnë protestën deri tek Prokuroria Themelore Publike. Protestës po i prijnë familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, ata kërkojnë drejtësi dhe hedhin poshtë akuzat e Prokurorisë, raporton Alsat. Në rastin “Monstra”, tre vjet më parë, procedura gjyqësore filloi prej fillimit me vendim të Gjykatës Supreme, për shkak të lëshimeve në zhvillimin e procedurës. Pretendohej se bisedat e përgjuara mund të ndryshonin rrjedhën e procedurës. Por, nga Prokuroria u shprehën se “bombat” nuk kanë zbuluar detaje të reja dhe prokurorja Fatime Fetai kërkoi dënime të përjetshme për Alil Demirin, Afrim dhe Agim Ismailoviqin, si dhe dënime maksimale për Haki dhe Fejzi Azirin. Aktakuza për Sami Lutën është tërhequr. Pas fjalëve përfundimtare të mbrojtjes, Gjykata Penale duhet të marrë vendim për rastin “Monstra”.