Facebook nuk do të bëjë më ‘rekomandime’ të grupeve politike për përdoruesit e tij, ka thënë drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg, pas kritikave të shfrytëzimit të platformës nga ekstremistët pro-Trump që organizuan sulmin ndaj Kongresit amerikan ‘Capitol’ në fillim të muajit.
Që më herët Facebook kishte ndaluar rekomandimet e grupeve politike dhe të çështjeve sociale në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, por tashmë Zuckerberg thotë se pas rekomandimit të qeverisë së SHBA, ndryshimi i fundit është i përhershëm.
Lëvizja merr domethënie të re pasi shumë grupe private në Facebook janë të mbushura me keqinformacion dhe teori konspirative, disa prej të cilave të përfshira në organizimin e trazirave në Capitol, sipas grupit të transparencës dixhitale ‘Tech Transparency Project’.
Zhvillimi vjen gjithashtu pas një letre të senatorit demokrat të Massachussettes, Ed Markey për Zuckerberg ku mes të tjerave thuhej: “Sistemet e Facebook për rekomandimet ndaj përdoruesve përfshijnë dhe grupe politike që kanë kërcënuar demokracinë amerikane dhe sigurinë publike”.
Kritikët kanë bërë presion prej kohësh që Facebook të eliminojë thirrjet për dhumë, retorikë urrejtjeje dhe keqinformacion. Ata argumentojnë se rrjeti është kthyer në një “tualet” pikëpamjesh ekstreme, që ndikojnë në radikalizimin edhe të përdoruesve normalë.
Duke pranuar një pjesë të fajit për pikëpamjet përçarëse në Facebook, Zuckerberg tha dje se rrjeti do të reduktojë në përgjithësi përmbajten politike që njerëzit mund të shikojnë në faqen kryesore të llogarive të tyre.
Të ardhurat e Facebook u rritën drastikisht në 2020, megjithë hetimet ‘antitrust’ apo ato të shkeljes se privatësisë.