Autoritetet në Moskë i hoqën disa masa të izolimit kundër koronavirusit, përfshirë mbylljen e bareve dhe restoranteve gjatë natës. Duke filluar nga e mërkura, bizneset nuk do të kenë më nevojë të kufizojnë numrin e punëtorëve që punojnë nga zyra, tha kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin.
“Situata me përhapjen e koronavirusit vazhdon të përmirësohet”, tha ai.
“Në këto rrethana është detyra jonë të krijojmë kushte për rimëkëmbje sa më të shpejtë të mundshme ekonomike”, shtoi Sobyanin.
Rusia, e cila është e katërta në botë sa i përket numrit të rasteve me koronavirus, i ka rezistuar vendosjes së një bllokimi të rreptë, për të frenuar përhapjen e virusit.
Të martën, autoritetet shëndetësore ruse raportuan për 19,290 raste të reja, të cilat e çojnë në më shumë se 3.7 milionë numrin e përgjithshëm të rasteve, që nga fillimi i pandemisë në pranverën e vitit të kaluar.
Numri i viktimave në të gjithë Rusinë është afro 70,500, por shifra besohet të jetë shumë më e lartë.
Në fillim të këtij muaji, Rusia ka nisur fushatën e imunizimit të të gjithë qytetarëve të saj, me vaksinën e zhvilluar në vend, Sputnik V.