Respektimi i masave mundëson kthimin e punës së Kuvendit në normalitet

Kuvendi mund t’i kthehet funksionalitetit nëse respektohen masat. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti thotë se pasqyra epidemiologjike mundëson kthimin e ngadalshëm në normalitet, por jo pa respektuar masat e domosdoshme.

Instituti vëzhgon vazhdimisht situatën me virusin në Kuvend dhe konstatohet se nuk ka raste të përhapjes apo transmetimit. Puna e Kuvendit duhet të vazhdojë pasi merren vendime të rëndësishme ligjore në nivel shteti. Duhet respektuar rekomandimet të cilat vazhdojnë të jenë – deklaroi Shaban Memeti, Drejtor i ISHP-së.

Kuvendi edhe pse ka organizuar mënyrën e funksionimit duke thirrur seanca plenare në sallën e madhe dhe votim mekanik, në disa komisione të cilat janë zhvilluar deri tani nuk janë respektuar masat. Deputetët kanë vendosur maska por nuk kanë ruajtur distancën.

Nga ligjvënësi sot nuk u prononcuan nëse bazuar në pasqyrën epidemiologjike kanë kërkuar ose do të kërkojnë mendimin e Komisionit për Sëmundje Infektive mbi mundësinë e kthimit të seancave në sallën plenare. Masat anti-Kovid riorganizuan punën e Kuvendit dhe kufizuan një pjesë të aktiviteteve. Më të goditura u ndjenë mediat të cilave iu limitua qasja dhe duke humbur mundësinë për të ndjekur debatet në trupat punues dhe pjesëmarrjen në galerinë e sallës plenare. Nisma e kreut të Kuvendit për të ndryshuar Rregulloren me qëllim që t’i mundësohet deputetëve të votojnë dhe debatojnë nga distanca ka ngecur në procedurë parlamentare si pasojë e mijëra amendamenteve të propozuara nga opozita.