Acar në vendlindje -Xhemi Hajredini

Acar në vendlindje-një poezi nga Xhemi Hajredini

Shtigjet janë mbyllur, s’durohet acari,
po pakësohet qari, po rritet zarari…
Thonë se ç’sjell sahati nuk sjell moti,
këtyre të zullumit, haram ua bëftë Zoti!

Poetët të paepur, si dje dhe sot,
ngulmojnë me të drejtë, s’flasin kot…
Strofkat shteruar, s’ka bujq në fushë,
zemrat lënduar, s’ka zjarr e prush…

Acar në atdhe, zemërthyer, mbylla gojë,
ti miku im, fol, është ëndërr apo lojë?!
Pse akull n’dashuri, blozë e fëlliqësi,
thuaj o gojëmbël, çne gjithë kjo ligësi?!

Disa mbushin shtëpitë me shpresë,
dikush në dhé të huaj s’do të vdesë,
ndokush gjallon në një rrugë tjetër,
ca të tjerë me miq e armiq të vjetër.

Xhemi Hajredini
Strugë, 21 janar 2021