Pasaportë e veçantë udhëtimi për të vaksinuarit në BE!

Një dokument vaksinimi mund t’i lejojë njerëzit të udhëtojnë lirisht si para pandemisë. Propozimi i është bërë nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Layen, përmes kësaj letre që mban datën 12 Janar. Synimi është shpëtimi i sezonin turistik veror të këtij viti, duke tërhequr turistë të vaksinuar nga vendet europiane e më gjerë, duke u hequr atyre barrierat e karantinës disa ditore apo kostot e analizave të COVID-it, e po ashtu të nxisë skeptikët të vaksinohen.

Mediat gjermane shkruajnë se propozimi ka gjetur mbështetjen e Manfred Veberit, kreut të grupit më të madh europarlamentar, atë të Partisë Popullore Europiane, i cili propozon një samit virtual të krerëve të 27 shteteve europiane më 21 Janar.

Për një pasaportë të tillë po diskutohet edhe në Britaninë e Madhe, ku për të vaksinuarit parashikohen lehtësira të shumta që nuk do t’i gëzojnë ata që nuk duan të vaksinohen. Lehtësirat për të vaksinuarit do të arrijnë deri atje sa të marrin pjesë nëpër grumbullime festive pa asnjë kufizim. Qeveria britanike është më konkrete me planet e saj, pasi propozon një pasaportë digjitale që do të jepet përmes një aplikacioni që është ende në zhvillim e që pritet të përfundojë në Mars.