Zonat industriale, paga të ulëta për punëtorët

Puna e lirë mbetet një nga karakteristikat kryesore të punëtorëve në zonat industriale. Investitorët e huaj ende paguajnë paga nën mesataren. Autoritetet në vend thonë se kompanitë në këto zona nuk duhet të ankohen sepse kriza nuk ka prekur seriozisht investitorët e huaj. Ka ende vende pune që duhet të plotësohen sipas planeve të paraqitur nga investitorët e huaj. Aktualisht, 14,076 persona punojnë në zonën teknologjike-industriale ndërsa sipas planit, duhet të jenë 21,370 të punësuar.

“Të them të drejtën, ishte befasuese për mua në kuptim negativ që kompanitë e përparuara teknologjikisht paguajnë paga më të ulëta se të tjerët në suazat e ekonomisë. Nuk jemi të kënaqur me nivelin e pagave që njerëzit marrin dhe mendojmë se ky nivel duhet të jetë më i lartë. Nuk është presion ose imponim. Nuk do t’u imponojmë, por me program të veçantë për aftësitë dhe zhvillimin e produktivitetit, do t’i inkurajojmë punëdhënësit- deklaroi Jovan Despotovski- drejtor i ZTZHI.

Shteti për vitin 2020 ka ndarë më shumë se 10.6 milion euro ndihmë shtetërore për 29 investitorë të huaj në vend për realizimin e investimeve të tyre në këtë zonë. Kriza me Covid-19 ka ulur eksportin e investitorëve të huaj me 8% dhe importin me 14% krahasuar me një vit më parë. Sipas Despotovskit, numrat tregojnë se rimëkëmbja dhe stabilizimi i lëvizjeve ekonomike në zonë po fillon pasi rënia në tremujorët e mëparshëm të vitit 2020 ka qenë më e madhe.