Viti i dytë i pandemisë së koronavirusit mund të jetë më i ashpër sesa i pari, duke marrë parasysh mënyrën si po përhapet ky virus, sidomos në hemisferën veriore, përfshirë këtu dhe qarkullimin e varianteve të reja, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Viti i dytë i pandemisë mund të jetë edhe më i vështirë, pasi po shohim dinamikën e përhapjes së sëmundjes”, deklaroi Mike Ryan nga OBSH, gjatë një takimi virtual në rrjetet sociale.Në përditësimin e fundit epidemiologjik, OBSH-ja theksoi se javën e kaluar është raportuar për gjatë pesë milionë raste të reja me koronavirus.
“Pas pushimeve, në disa shtete situata do të përkeqësohet përpara se të përmirësohet”, u shpreh Maria Van Kerkhove, po ashtu pjesë e kësaj organizate.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet shëndetësore në gjithë botën kanë regjistruar mbi 90 milionë raste të infektimit me koronavirus që prej fillimit të pandemisë, ndërsa bilanci I jetëve të humbura është thuajse 1.9 milionë.