Peru – një gjykatë akuzon Bill Gates, George Soros dhe familjen Rockefeller për krijimin e Covid-19

Pretendimet rreth prodhimit në kushte laboratorike të koronavirusit, i cili është përhapur anembanë botës duke i detyruar shtetet të vendosin kufizime dhe masa të tjera të forta, janë ngritur sërish në rend të ditës.

Një gjykatë lokale në Peru ka lëshuar një urdhër hetimi për sesinë e përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Gjykata në fjalë pretendoi se COVID-19 është produkt i elitave të pasura dhe se fajtorë për këtë janë Bill Gates, George Soros dhe familja Rockefeller.

Sipas mediave ruse, në tekstin e urdhrit për hetim të lëshuar nga gjykata lokale peruane zë vend edhe ky argument: “Asnjë qeveri botërore, persona fizikë de juridikë dhe as mbrojtja e të pandehurit nuk mund të pohojnë se kjo pandemi ka cilësinë e «të parashikueshmes», përveç krijuesve të rendit të ri botëror si Bill Gates, Soros, Rockefeller dhe të tjerët, të cilët e trajtuan atë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me fshehtësi ekstreme brenda mjediseve të tyre dhe korporatave globale.”

Menjëherë pasi ky hetim shkaktoi një jehonë të madhe në shtyp dhe media sociale, Gjykata e Lartë e Perusë vuri dorë mbi situatën.

Ajo tha se po heton urdhrin e një gjykate lokale që pretendon se COVID-19 u shpik nga “elitat kriminale” të filantropit amerikano-hungarez, George Soros, familjes Rockefeller dhe bashkëthemeluesit të “Microsoft”, Bill Gates.

“Ne kemi urdhëruar një hetim paraprak ndaj kryeprokurorëve të Dhomës së Apelit Penal në Chincha dhe Pisco për të marrë prova që do të ndihmojnë në përcaktimin e pranisë ose mungesës së pretendimeve të shkeljeve”, tha Gjykata e Lartë e Perusë në një mesazh të botuar nga faqja e saj në rrjetin social “Facebook”.

Në shënjestër të këtyre debateve është kryesisht Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin (Gavi) e Fondacionit “Bill&Melinda Gates”, të cilën Bill Gates e themeloi me bashkëshorten e tij.

Pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konfirmoi vitin e kaluar që koronavirusi i ri ka origjinë shtazore, teoritë e konspiracionit se COVID-19 është prodhuar nga njeriu vazhdojnë të qarkullojnë në internet.

Ndërkohë që mjedisi internetor zien nga teori konspirative të shumta, Bill Gates është fajësuar nga shumë përdorues në mediat sociale. Ai është në shënjestër të pretendimeve se ka zhvilluar një vaksinë kundër koronavirusit për të monitoruar miliarda njerëz me “mikroçipa”.