Publiku është paralajmëruar të qëndrojë në shtëpi teksa stuhia Filomena ka bllokuar shoferët dhe qarkullimin në të gjithë Madridin.
Autoritetet thanë se të paktën kater njerëz kanë vdekur në stuhinë më të rëndë të dëborës në 50 vjet, teksa në kryeqytetin Madrid dhe rrethinat e tij është ndaluar qarkullimi dhe qindra shoferë janë bllokuar në makinat e tyre.
Stuhia Filomena goditi dje Spanjën, duke sjellë reshje dëbore, të papara në Madrid që prej vitit 1971, sipas zyrës vendore meteorologjike Aemet. Stuhia kishte vazhduar gjatë natës duke u gdhirë e shtuna me rreth 50cm dëborë në disa rajone të Madridit.
Një burrë e një grua u vranë në qytetin e Andaluzisë Fuengirola kur makina e tyre u mor nga lumi i dalë nga shtrati, ndërsa një burrë vdiq në fshatin e Zarzalejo në Madrid pas bllokimit në dëborë.
Shërbimet e emergjencës thanë se një i pastrehë në zonën Carabanchel në Madrid gjithashtu vdiq pasi kishte pësuar një arrest kardiak nga i ftohti.
Pesë provinca spanjolle Valencia, Castellón, Tarragona, Teruel e Zaragoza mbeteshin në gjendje alarmi pasditen e sotme.
Aeroporti i Barajas në Madrid ishte i mbyllur, ashtu si dhe shërbimet e trenave, ndërsa grupe të ushtrisë po punonin për ndihmën ndaj shoferëve të bllokuar në disa rajone. Stuhia pritet të vijojë edhe nesër.