Edhe këtë vit pamjet para bankave janë të njëjta. Qytetarët me orë të tëra presin për të kryer detyrimet e tyre, edhe në temperatura nën zero. Bankat vazhdojnë të punojnë me kapacitete të përgjysmuara dhe nuk e kanë në plan të ndryshojnë strategji deri në përfundim të krizës.
“Vitin 2020 e përcollën duke pritur para filialeve të bankave nëpër qytete të ndryshme në vend. 2021-shin e kanë filluar në të njëjtën mënyrë. Vazhdojnë të qëndrojnë në radhë të gjata për të përfunduar punët e tyre nëpër filialet e bankave. Ndërkohë ashtu siç bënin duke qëndruar jashtë në temperatura të larta, edhe sot kur ishte një ditë me shi dhe temperaturë nën minus, qytetarët vazhdojnë të presin për të përfunduar punët e tyre.”
“Që sa orë je duke pritur? – Që dy orë. Patjetër të vija këtu, për të paguar për fëmijën e tretë një lutje. Si nuk kemi frikë?! Të gjithë të moshuar janë këtu. Që tre orë presim, ndërsa brenda vetëm një sportel punon.
“Kemi dy orë duke pritur këtu. Sportelet njëri punon, tjetri nuk punon. Bëhet rrëmujë, siç e dini situata është ashtu siç është. Disa filiale janë të mbyllura, bankomatët ndonjëherë nuk kanë para. Kjo nuk është në rregull, presim shumë. Edhe postat janë të mbyllura.
“Është shumë ftohtë. Po ngrijmë se ftohti, ja edhe të tjerë ka që kanë ardhur me fëmijë. Qëndrojnë këtu duke pritur me orë të tëra. Si të mos kem frikë kur vazhdimisht apelojnë që të mos krijohen grumbullime, të mbahet distancë. Këtu nuk ka distancë. Thanë se deri në mars do të jetë kështu. Por nuk i dihet.”
“Kam ca që pres, ndoshta më shumë se një orë. Jam duke pritur të marr ndihmën sociale. Kam frikë, sigurisht.”
“Jam duke pritu të paguaj rrymën. – Nuk ka kush të ta kryejë pagesën online? – Jo, s`kam. Unë vetë nuk di. – Që sa kohë prisni?- Që një orë pres këtu. Jo more s’kam frik hiç. Pse të kem frikë? Zoti e ka sjellë dhe s’kam frikë fare. .Jemi veshur mirë, të gjithë me xhupa, ja si jemi veshur, nuk kam frikë jo.”
Ky problem u shfaq që nga fillimi i pandemisë. Bankat punën e tyre e vazhduan me gjysmën e kapaciteteve dhe kjo ndikoi që procesi i punës të ecë më ngadalë. Nga Asociacioni Bankar në qëndrimin e tyre pak kohë më parë kishin theksuar se ashtu si edhe gjithë të tjerët, edhe bankat kanë protokolle që duhet të respektojnë dhe te kujdesën për punëtorët e tyre, duke punuar me gjysmën e kapaciteteve.