Britani, sot hyn në fuqi bllokimi i tretë kombëtar për shkak të Covid-19

Masat, të cilat përfshijnë urdhrin për qëndrimin në shtëpi dhe mbylljen e shkollave për shumicën e nxënësve, u njoftuan nga kryeministri të hënën.

Bllokimi i tretë kombëtar i Anglisë hyn sot ligjërisht në fuqi, deputetët janë gati për të votuar më vonë, gjatë ditës.

E gjithë Mbretëria e Bashkuar tani është nën masa të rrepta izolimi, me Uellsin, Irlandën e Veriut dhe pjesën më të madhe të Skocisë gjithashtu në bllokim.

Të martën numri i rasteve të reja me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar arriti në 60,000 për herë të parë.

Dhe mendohet se një në 50 persona në familje private në Angli kishin virusin javën e kaluar dhe akoma më shumë në Londër, ku mendohet të jetë një në 30 persona.

Shifrat nga Zyra për Statistikat Kombëtare thanë gjithashtu se më shumë se një milion njerëz në Angli kishin Covid midis 27 dhjetorit dhe 2 janarit.

Në një konferencë shtypi të martën, kryeministri Boris Johnson tha se nuk kishte zgjidhje tjetër, përveçse të impononte bllokimin e ri, me numrin e pacientëve në spitale 40% më të larta se në pikun e parë.

Ai këmbënguli se është plot “optimizëm dhe shpresë” se gjërat do të jenë ndryshe në pranverë.

Johnson do të mbledhë deputetët, shumica e të cilëve nuk do të jenë fizikisht të pranishëm, sipas rregullave të reja para votimit, i cila pritet të ndodhë në mbrëmje.

Sipas masave, njerëzit në Angli do të jenë në gjendje të dalin vetëm për arsye thelbësore, ushtrimet në natyrë do të lejohen vetëm një herë në ditë.

Të martën, Johnson tha se 1.3 milion njerëz në Britani janë vaksinuar deri më tani.

Qeveria ka vendosur objektivin për të vaksinuar të gjithë të moshuarit mbi 70 vjeç, punonjësit më të rrezikuar dhe ata të vijës së parë të shëndetit dhe kujdesit deri nga mesi i shkurtit – rreth 13 milion njerëz