Anglia dhe Skocia rikthehen ne izolim pas rritjes së rasteve

Njerëzit në të gjithë Anglinë dhe pjesën më të madhe të Skocisë, nga sot duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe mund të dalin që andej vetëm për arsye të caktuara pasi izolime të reja nisën në të dyja vendet.

Shkollat janë mbyllur në Angli, Skoci dhe Uells, ndërsa Irlanda e veriut do të ketë një periudhë të zgjatur mësimi në distancë. Rregullat në Angli do të zgjasin deri në mes të shkurtit; ato në Skoci do të rishihen në fund të janarit. Sidoqoftë, ka edhe zëra se kufizimet do të mund të shkojnë deri në mars.

Kryeministri britanik, Boris Johnson paralajmëroi se javët e ardhshme do të jenë më të vështirat që e presin vendin.

Kjo vjen pasi Britania e madhe raportoi një rekord prej 58784 raste të hënën si edhe 407 viktima të reja. Johnson tha se spitalet ishin vendosur nën një presion të jashtëzakonshëm për shkak të covidit dhe urdhëroi njerëzit të qëndrojnë në shtëpi ndërsa sqaroi se shkollat dhe universitetet do të kalonin tek mësimi në distancë në pjesën më të madhe.

Ai tha se banorët e shtëpive të kujdesit dhe kujdestarët e tyre, të gjithë mbi moshën 70 vjec dhe të gjithë punonjësit e shëndetësisë dhe kujdesit social, si edhe personat klinikisht vulnerabël, do të marrin dozën e parë të vaksinës nga mesi i shkurtit. Deri sa rregullat e reja të shndërrohen në ligj, të mërkurën, njerëzit – tha Johnson – duhet të fillojnë ti zbatojnë nga ky moment.

Më herët të hënën, kryeministrja Nikola Sturdeon lëshoi një urdhër për të qëndruar në shtëpi për Skocinë që filloi nga mesnata dhe do të zgjasë deri në fund të janarit.