Murati: Reformat në arsim duhet jenë thelbësore, të mos bëhen eksperimente në kurriz të nxënësve

Arsimit në Maqedoni tashmë një kohë të gjatë i duhen reforma thelbësore. Ato duhet të jenë të mirëfillta dhe të studiuara më së paku për 5 vjet radhazi. Kështu vlerëson profesori Xheladin Murati, i cili shton se zbatimi i një koncepti të ri dhe të shpejtuar shkon në dëm të zhvillimit psikofizik të nxënësve dhe zhvillimit të procesit mësimor.

Ndryshimi rrënjësor do të ishte që nxënësit, tekstet shkollore të shkarkohen nga faktet e tepërta, të eliminohen përmbajtjet mësimore që nuk janë në funksion të zhvillimit të nxënësit dhe shkollës. Të hiqen historisizmat e tepruara, të hiqet materiali që nuk ka karakter zhvillimor. Kjo mund të bëhet lehtë sepse mund të bëhet korrigjimi i programit mësimor së pari mandej i librave shkollor – deklaroi Xheladin Murati, profesor.

Profesori Murati ka drejtuar kritika edhe për vendosjen e gjuhës shqipe në konceptin e ri për arsimin fillor, si lëndë zgjedhore për nxënësit joshqiptarë. Murati kërkon që gjuha shqipe të mësohet nga klasa e katërt me dy orë në javë.

Gjuha shqipe në këtë rast e ka fituar, siç propozojnë autorët statusin e një gjuhe të huaj që në fakt është qasje e gabuar. Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë e mjedisit dhe të mësohet sikurse shqiptarët që e mësojnë gjuhën maqedone prej klasës së katërt nga dy orë në javë. Vetëm kështu mund të flasim për multikulturalizëm si koncept që promovohet në shoqërinë tonë a në fakt nuk realizohet në mënyrë burimore ashtu siç duhet – u shpreh Xheladin Murati, profesor.

Derisa nxënësit do të jenë në pushimin dimëror, stafi mësimdhënës dhe të gjithë të interesuarit do të kenë mundësinë të dërgojnë ide dhe sugjerime për “Draft-Konceptin për Arsimin Fillor”. Draft-dokumenti me 48 faqe është postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit në pesë gjuhë, atë maqedonase, shqipe, turke, boshnjake dhe serbe. Për të përmirësuar përmbajtjen e dokumentit, sugjerimet dhe propozimet duhet të dërgohen deri më 20 janar.