Austria tashmë ka miratuar një regjistrim të detyrueshëm të hoxhallarëve ndërmjet masave të tjera që synojnë reduktimin e terrorizmit, pas një sulmi terrorist që ndodhi në nëntor në Vjenë. Që nga fillimi i vitit 2021, Austria kërkon regjistrimin e të gjithë hoxhallarëve në vend, njofton DW..
Vendimi ishte një nga disa masat e reja që qeveria e kancelarit Sebastian Kurz miratoi pas një sulmi terrorist në 2 nëntor në Vjenë, ku katër civilë u vranë dhe 23 u plagosën pasi një 20-vjeçar i armatosur hapi zjarr në qendër të kryeqytetit austriak.
Tani Austria po bën thirrje që Bashkimi Evropian të miratojë regjistrimin e hoxhallarëve, të udhëheqësve të besimit në xhamitë e komunitetit mysliman.
Pse po bën thirrje Austria për regjistrimin e hoxhallarëve në BE?
Në një intervistë me gazetën gjermane Die Welt botuar të shtunën, Ministrja e Austrisë për Çështjet Evropiane Karoline Edtstadler tha se regjistrimi i imamëve ishte thelbësor për “luftën kundër Islamit politik”.
“Shumica e hoxhallarëve lëvizin nëpër shumë vende të BE-së, kështu që autoritetet e sigurisë duhet të dine cili predikon, çfarë predikon dhe në cilën xhami shkon në çdo kohë,” i tha gazettes, ministrja Edtstadler, anëtare e Partisë Popullore Konservatore të Austrisë të Kurz.
Ajo gjithashtu beson se fondet e BE duhet të “kontrollohen kaq rreptësisht në të ardhmen sa të mos shkojnë në organizata dhe shoqata që mbështesin pozicione islamike dhe antisemitike”. Një ndalim i financimit të huaj për xhamitë, i cili tashmë është në fuqi në Austri, është gjithashtu i mundshëm, tha ajo.
Për të luftuar terrorizmin, ministrja Edstadler do të dëshironte të shihte “përmirësime të mëtejshme në bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash midis autoriteteve gjyqësore dhe të sigurisë të vendeve anëtare të [BE].”
Ministrat e brendshëm të BE kanë shpallur një “luftë kundër terrorizmit” të ri pas sulmit në Vjenë dhe mizorive të ngjashme në Paris dhe Nice në Francë.