Pas 19 viteve Maqedonia e Veriut po bëhet gati për procesin e regjistrimit të popullsisë. Ligji ndodhet në fazën e fundit të miratimit, pas kalimit të filtrave në Kuvend. Jo zyrtarisht mësohet se i njëjti pritet të votohet në gjysmën e parë të muajit janar, përkatësisht në seancat e para pas festave të fund vitit. Pse nuk kishte regjistrim në Maqedoni të Veriut? Në vitin 2002 menjëherë pas konfliktit të armatosur të dhënat e regjistrimit të kryqëzuara me pikat nga Marrëveshja e Ohrit u interpretuan në amendamente kushtetuese për të kategorizuar të drejtat e etnive në bazë të përqindjes nga regjistrimi. Gati 10 vite më vonë, kur buxheti shtetëror kishe paraparë fonde për regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 dhe ligji ishte miratuar në Kuvend, procesi u ndërpre për motive të panjohura. Pas 5 viteve, materialet e përgjuara të cilat i posedonte ish PSP nxorën në pah të vërtetën se shtyrja apo ndërprerja e procesit është bërë në marrëveshje mes kreut të BDI-së, Ali Ahmetit dhe ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Madje Specialja kishte ngritur akuzë për dëmtim të buxhetit shtetëror prej 2.8 milion eurove, por kjo akuzë nuk mori epilog. Më 3 dhjetor të vitit 2020, një muaj pasi Ahmeti kishte dëshmuar vullnetarisht në Prokurori për regjistrimit, organi akuzës tërhoqi aktin mbi bazën e mungesës së provave dhe pamundësisë për ta vërtetuar veprën. Çështja e regjistrimit të popullsisë në vitin 2021 ishte pjesë e marrëveshjes politike dhe pikë në programit Qeveritar. Teksti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë u debatua në Kuvend, ndërsa opozita shqiptare kërkoi që procesi të zbatohet nga Komision Shtetëror për Regjistrim, por një gjë e tillë nuk u pranua. Të dhënat që i posedon Enti Shtetëror i Statistikave, të kryqëzuara me raportet e EUROSTAT-it japin shifrat e para jo zyrtare që mund të priten nga regjistrimi. Duke pas parasysh migracionin, ndryshimet demografike dhe bullgarizimin e afro 100 mijë shtetasve të Maqedonisë së Veriut, pritjet e ESHS janë që në Maqedoni jetojnë 1.5 deri në 1.6 milion qytetarë, prej tyre 57-61 për qind maqedonas, 28-30 për qind shqiptar dhe pjesa e mbetur turq, rom, serb, boshnjak etj.