Të enjten do të nis pushimi dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të cilët mësimeve do t’i kthehen në 21 janar. Derisa nxënësit do të jenë me pushime, stafi mësimdhënës dhe të gjithë të interesuarit do të kenë mundësinë të dërgojnë ide dhe sugjerime për “Draft-Konceptin për Arsimin Fillor”. Draft-dokumenti me 48 faqe është postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit në pesë gjuhë, atë maqedonase, shqipe, turke, boshnjake dhe serbe. Për të përmirësuar përmbajtjen e dokumentit, sugjerimet dhe propozimet duhet të dërgohen deri më 20 janar. Zyrtarisht, dikasteri i Arsimit nuk ka një vendim përfundimtar nëse gjysmëvjetori i dytë do të vazhdojë online ose me prezencë fizike. Por, kohë më parë ministrja e Arsimit, Milla Carovska tha se mësimi mund të vazhdojë online sepse ky model ka treguar rezultate. Carovska tha se nxënësit do të kthehen në objektet shkollore varësisht nga situata me Covid 19.
Mendoj se në këtë mënyrë duhet të vazhdojmë në periudhën tjetër. Nëse krijohen kushte ata do të kthehen, por autoritetet shëndetësore në koordinim me Ministrinë e Arsimit do të vendosin. Ne kemi qëllimin e vetëm për të mbrojtur shëndetin e mësuesve, nxënësve dhe të gjithë popullsisë”-tha Mila Carovska, ministre e Arsimit.
Gjysmëvjetori i parë u shoqërua me probleme të shumta dhe ngecje te nxënësit, posaçërisht tek ata që kanë të arritura mesatare në procesin mësimor.
Ngecjet te nxënësit janë shumë të dukshme. Nxënësit të cilët janë në nivel pak më mesatar në lidhje me të arriturat në procesin edukativo arsimor, te ata ka mjaft ngecje. Vet po e vërej, janë më pasiv gatë realizimit të orëve. Nëse me të vërtet ky vit shkollor përfundon online ne arsimtarët do të ballafaqohemi me një problem edhe më të madh jashtë platformës, me notimin e nxënësve”-pohoi Suzana Jakupi Kurbardoviq, mësuese.
Sipas ndryshimeve në Kalendarin për organizimin e punës së shkollave fillore dhe të mesme, gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor filloi me një muaj vonesë, më 1 tetor, dhe numri i ditëve të zhvillimit të mësimit është zvogëluar nga 180 në 159.