… bazuar në ngjarje dhe persona të vërtetë …
I ftohti dimrit është një prej problemeve kryesore në Strugë, sidomos për shtëpitë private. Duke parë metodat e reja të ngrohjes që po dalin, këtë vit u interesuam edhe ne ta instalojmë ngrohjen tek kati ku e kalojmë të shumtën e kohës dimrit.
E kontaktuam një mjeshtër që na i rekomanduan. Kur erdhi doli se kishim pas kontakt edhe më herët. “Më ke ndihmuar për vjerrin para disa viteve për në një klinikë tjetër” – tha. Mu kujtua. Si respekt për ndihmën, në fund ja futi një çmim sa i tha goja … “si për ty tha doktor, se për tjerët është më shtrenjt!”
Ok, iku ky. Pastaj më dhanë numrin e Zylfiut, si mjeshtër për instalimin e ngrohjes. E mora në telefon.
“Doktor, ti je?” – më tha sapo i telefonova.
“Po” – i thash – ” nga më njeh?”
“E kam numrin tënd” – tha – ” më ke shpëtuar gishtin”.
Në rregull. I tregova pse na duhej. Erdhi e pa vendin i bëri matjet, ofroi një çmim të arsyeshëm, ramë dakord, i ofruam edhe 100 euro bakshish, e lamë të vije të fillojë punën pas ramazanit.
Pas një kohe biseduam edhe një herë dhe ma konfirmoi se do vijë disa ditë pas Bajramit.
Erdhi koha mjeshtri të vijë, ai askund. Kaluan disa ditë. Vendosa ta marrë në telefon. E thirra disa herë. Dukej qartë se qëllimisht nuk përgjigjej. Si duket i kishte rënë pishmanit.
Në rregull. Kontaktuam një mjeshtër tjetër. Kësaj radhe ishte maqedon. Erdhi, e pa vendin, i bëri matjet, ofroi çmimin e vet shumë të levërdisshëm – rreth 25% më të lirë se çmimi i ofruar nga Zylfiu që nuk erdhi. Ditën e caktuar erdhi me një punëtor tjetër, për tre ditë e kishte kompletuar punën pa asnjë grimcë pluhuri të papastruar e pa asnjë vërejtje. Ne e vendosëm nxemjen, ai i mori paratë. Ne të kënaqur, ai i kënaqur.
Ika tani se kam tre operacione sot … ndonjë nga pacientët e sotëm mund të jetë mjeshtri që do takoj në të ardhmen!