Viti i ardhshëm shkollor pritet të filloj me konceptin e ri për arsim fillor të propozuar nga Ministria e Arsimit. Të parët që do të kenë përballë këto ndryshime janë nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë ndërsa për një periudhë pesë vjeçare të gjithë do të përfshihen në këtë koncept.
Propozohet që koha e qëndrimit në shkollë të jetë pesë orë, nga të cilat 3.5 orë mësimore për fëmijët nga klasa e pare e deri në të pestën dhe gjashtë orë ose 4.5 orë mësimore për fëmijët nga klasa e gjashtë e deri në të nëntën,.
Në shkencat natyrore do të përfshihen përmbajtje nga biologjia, gjeografia fizike, kimia dhe fizika, ndërsa në shkencat shoqërore do të bëjnë pjesë me përmbajtje që i përkasin historisë, gjeografisë sociale, edukimit qytetar, fesë dhe etikës.
Në një orë të shkencave natyrore, nëse e udhëheq mësuesi I biologjisë është orë e biologjisë dhe realizohen përmbajtje nga biologjia. Nëse flitet për kimi atëherë e realizon orën mësuesi i kimisë. Një temë e plotë mund të punohet gjatë një gjysëmvjetori, gjatë kësaj kohe, mësues të ndryshëm realizojnë njësi mësimore të ndryshme. Nëse tema është “Mbrojtja e mjedisit jetësor”, atëherë në lëndën e biologjisë do të mësojnë si ndikon njeriu në zhvillimin e mjedisit jetësor, në orën e kimisë do të mësojnë për ndotjen e mjedisit dhe si në mbrohemi nga ndotja, nga fizika do të mësojnë burimet ripërtëritëse të energjisë- deklaroi Violeta Petrovska-Beshka, profesore universitare.
Çdo shkollë duhet të ofrojë dy lista më lëndë zgjedhore. Një për të mësuar gjuhë të tjera, në të cilën bën pjesë edhe gjuha shqipe dhe lista tjetër zgjedhore do të jetë e përbërë nga katër kategori me zgjedhje të lira.
Edhe pse BDI-ja gjatë fushatës paralajmëronte se gjuha shqipe do të jetë e obligueshme për të gjithë nxënësit nga klasa e pestë, koncepti i ri nuk e parasheh një gjë të tillë.
Ministrja Carovska përsëriti edhe një herë se asnjë mësimdhënës nuk do të largohet nga puna e as nuk do të mbetet pa fond të plotë të orëve. Kur bëhet fjalë për historinë dhe gjeografinë, Carovska tha se të gjitha palët do të përfshihen në përgatitjen e ndryshimeve.
Në vend të fakteve të zbehta, përmbajtja do të paraqitet në një kontekst real, dhe nxënësit do të fitojnë një kuptim të plotë të fenomeneve dhe ngjarjeve që mësojnë dhe do të dinë se si ta zbatojnë këtë informacion në të ardhmen. Për më tepër, arsimi fillor do të vendoset në një mënyrë që do të inkurajojë kreativitetin dhe kërkimin në mësimdhënie, por edhe zhvillimin personal që është i rëndësishëm për çdo periudhë të jetës- pohoi Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Carovska tha se për tërë këtë projekt, do të përdoret buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili përfshin fonde shtesë për programet mësimore dhe materialet. Ndaj konceptit të ri për arsim ka reaguar edhe një pjesë e akademikëve.