Ndeshja e mbrëmjes së kaluar në Kupën e Italisë e cila është zhvilluar mes Xhenoas dhe Imoleses është përfolur shumë në rrjetet sociale dhe në media. Ndër arsyet më kryesore për këtë ishte futbollisti shqiptar nga Struga, Isnik Alimi, ku e gjithë vëmendja e ndeshjes u kthye tek ai.
Edhe pse skuadra e tij rezultoi me humbje, goli që shënoi Alimi mori komentet më të mira. Mediat italiane dhe jo vetëm i dhanë shumë vëmendje faktit që Alimi sapo hyri në lojë pas dy minutash shënoi gol, duke thënë se një lojtari aq të talentuar si Alimi i duhen vetëm dy minuta për te shënuar. Alimi hyri në lojë në minutën 51 të ndeshjes dhe shënoi gol me kokë në minutën 53. Edhe pse pati disa probleme, ku pasi shënoi golin me kokë, goditi shtyllën, ai qe në gjendje për të vazhduar lojën.
Isnik Alimi është nga fshati Dollogozhdë i Strugës. Ëndërrën për tu bërë futbollist profesional e filloi që në moshë shumë të vogël. Fillimisht ka filluar në skuadrën lokale Kf Vllaznimi, e më pas në Kf Ohrid, ku u fut edhe në ekipin e parë. Në vitin 2012 ai u transferua në ekipin Novigrad të Kroacisë. Më pas në vitin 2013, talenti i Alimit arriti edhe në sytë e italianëve, kështu ai po atë vit u bë pjesë e ekipit italian Chievo Verona në serien A. Me Chievo Veronan ai fitoi Superligën, ku shënoi kundër Juventus. Në atë skuadër ai ishte kapiteni dhe lojtari kyç. Në vitin 2014, Alimi u transferua në ekipin Lumezzane ku edhe atje tregoi shumë sukses. Më pas u kërkua nga Atalanta e Serie A, me të cilën bëri kontratë 4 vjetore. Në vitin 2017, Alimi u dha në huazim në Vicenza. Ai është ende pjesë e Atalanta, por është dhënë në huazim në skuadrën Imoleses.
Isnik Alimi gjithashtu ka qenë pjesë e skuadrës për të rinjtë në Kombëtaren Shqiptare.
Gjatë gjithë këtyre viteve, ai ka ndjekur ëndërrën e tij, duke marrë gjithnjë e më shumë vëmendja si lojtari kyç dhe vendimtari i rezultatit. Çka bie në sy dhe ka lën shumë përshtypje për mediat shqiptare por sidomos edhe ato italiane, është se Alimi pas çdo goli të tij ka festuar me shqiponjë, duke treguar rrënjët e tij.