Raporti i OKB: Shqipëria vendi kryesor në Evropë i origjinës së kanabisit

Një raport i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), që analizon me detaje krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, ka theksuar se Shqipëria është vendi kryesor në Evropë i origjinës së kanabisit për 2014-2018, ndërkohë që grupet kriminale shqiptare tashmë janë përhapur në gjithë Evropën, kryesisht në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës së Jugut.

Raporti thekson se dënimet më të shumta janë në kultivimin e narkotikëve, më pak në pastrim parash, ndërsa konstaton se nuk ka shumë dënime për grupet e organizuara kriminale.

Sipas raportit, bazuar në intervista, trafiku i drogës dhe prodhimi duket se shpesh janë të lidhura me krimin e organizuar, megjithatë pjesëmarrja në krimin e organizuar ka nivele shumë të ulëta dënimi në Shqipëri.

“Kjo tregon nevojë për të shqyrtuar më me hollësi se në cilën fazë rastet po dështojnë si dhe të vazhdohet me analizimin e arsyeve për këto dështime”, thuhet në raport.

Sipas raportit, krimi i organizuar ndikohet dhe nga niveli i lartë i korrupsionit, ndërsa shprehet skeptik për ecurinë e procesit të vetting-ut. Ryshfeti, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë janë disa nga mjetet që lehtësojnë krimin e organizuar.

“Korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri, veçanërisht brenda policisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Qeveria prezantoi reformat në drejtësi dhe ndryshimet në ligjet për personelin e policisë dhe vetting-un. Sidoqoftë, pavarësisht arrestimeve dhe ndjekjeve ekzistuese të zyrtarëve publikë për marrje ryshfeti, nuk kishte asnjë dënim gjatë periudhës së vëzhguar”, vijon raporti.

UNDOC thekson se deri më tani, shumica e veprimtarive kriminale të regjistruara të përfshira në këtë analizë në Shqipëri kanë të bëjnë me prodhimin vendas të kanabisit, kryesisht bar kanabisi (marijuanë) si dhe trafikun e drogës. Në këtë rast, Shqipëria vepron kryesisht si një vend transit, veçanërisht për trafikimin e heroinës përgjatë rrugës Ballkanike, do të thotë përmes Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut në Itali dhe tregjeve të tjera në Evropën Perëndimore dhe Qendrore dhe për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut, veçanërisht nga Kolumbia, në Evropën Perëndimore dhe Qendrore. Ndërsa përfshirja e grupeve shqiptare në aktivitete të tilla trafikimi duket se ka rënë në vitet e fundit, prodhimi i kanabisit dhe trafikimi i lidhur me të i produkteve të kanabisit në vendet e tjera janë rritur – megjithëse këto aktivitete janë luhatur dukshëm në vite.

Kultivimi i kanabisit në gjithë vendin pas Lazaratit

Kanabisi është droga më e prodhuar dhe e kapur gjerësisht në të gjithë botën.

Megjithëse kanabisi prodhohet në pothuajse të gjitha vendet në të gjithë botën, Shqipëria është veçuar vazhdimisht si një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm për burimin e barit të kanabisit që gjendet në Evropë.

Gjatë periudhës 2014-2018, Shqipëria u përmend nga shtetet e tjera evropiane si “vendi kryesor i origjinës” të kanabisit që gjendet në tregjet e tyre, e ndjekur nga afër nga Holanda. Në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, 24 për qind e të gjitha përmendjeve të vendeve kryesore të origjinës së barit të kanabisit kishin të bënin me Shqipërinë ndërsa në Evropën Juglindore kjo përqindje u rrit në 61 për qind gjatë periudhës 2014-2018.

Kanabisi shqiptar luan një rol të madh në disa vende të rajonit, veçanërisht në Malin e Zi (origjina e raportuar e afro 100 për qind të të gjithë barit të kanabisit të kapur atje në 2017), Kroacia (origjina e 90 për qind e të gjithë barit të kanabisit të kapur në 2018) , Maqedonia e Veriut (70 për qind e të gjithë barit të kanabisit të kapur në 2018), Bosnjë dhe Hercegovinë (70 për qind në 2017), Greqi (61 për qind në 2018), Hungari (50 për qind në 2017), Austri (50 për qind në 2017), Itali (16 për qind në 2018), Zvicër (15 për qind në 2018) dhe Rumani (13 për qind në 2017). Edhe Suedia raportoi në mënyrë të përsëritur bar kanabisi që gjendej në territorin e saj kryesisht me origjinë nga Holanda dhe Shqipëria.