Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kabineti i tij u takuan sot në Paris për të diskutuar mënyrat për të luftuar islamizmin radikal.
Gjatë këtij takimi u parashikuan ndryshime në ligj për të lehtësuar shpërbërjen e shoqatave, që vënë në dyshim vlerat e Francës.
Pritet të ndëshkohen, gjithashtu, edhe kërcënimi ose frikësimi i oficerëve të sigurisë dhe gjuha e urrejtjes në internet.
“Ky projektligj nuk është një projektligj kundër feve”, tha kryeministri Jean Castex pas takimit të kabinetit.
“Armiku i republikës është një ideologji politike e quajtur islamizëm radikal, që synon të përçajë francezët. Ne kurrë nuk do ta barazojmë atë me myslimanët dhe unë besoj se muslimanët janë ndër viktimat e para të kësaj ideologjie”, shtoi ai.
Ligji i planifikuar, që synon të forcojë parimet republikane është në diskutim prej disa kohësh.
Macron dhe qeveria e tij kërkojnë ta luftojnë islamizmin radikal aty ku të rinjtë janë më të prekshëm, në xhami të veçanta, jashtë shkolle dhe në internet.