OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) ka përsëritur udhëzimin se në muajin e parë të jetës, të gjithë të sapolindurit duhet të kontrollohen për shikimin dhe dëgjimin.
Këto janë kontrolle, të kryera tek të gjitha foshnjat menjëherë pas lindjes ose në muajin e parë të jetës, të nevojshme për të identifikuar defektet në dy shqisat e rëndësishme.
Çrregullime pak a shumë të rëndësishme, të cilat nëse lihen pas dore mund të kufizojnë zhvillimin njohës të fëmijës, të kufizojnë aftësitë e tij të të mësuarit dhe të krijojnë vështirësi në ndërveprimin shoqëror.
Përkundrazi, një defekt i trajtuar menjëherë, me mjetet e duhura, ndihmon fëmijën gjatë jetës shkollore, në socializim dhe në aktivitete sportive.
Një test dëgjimi pa dhimbje
Kontrolli, që është ekzaminimi universal, për dëgjimin quhet më saktësisht shqyrtim audiologjik. Është një kontroll krejtësisht pa dhimbje për të sapolindurit dhe konsiston në vendosjen e një sonde të butë brenda kanalit të veshit të foshnjës. Pastaj, tinguj me intensitet të ndryshëm prodhohen nga jashtë dhe sonda dërgon përgjigje, duke imituar aftësitë e dëgjimit të të porsalindurit.
Çrregullimet e shikimit
Kontrolli për shikimin tek të porsalindurit përfshin të ashtuquajturën “provë e refleksit të kuq”, e nevojshme për të zbuluar kataraktën kongjenitale. Është një mjegullim i lenteve që shkakton verbëri dhe, sipas ekspertëve, ka një incidencë prej 3 në 10,000 foshnje, duke prekur shpesh të dy sytë. Testi i refleksit të kuq, i cili është gjithashtu i thjeshtë dhe jo shqetësues për foshnjën, konsiston në drejtimin e një rreze drite nga një oftalmoskop drejt secilit sy të fëmijës. Nëse sytë nuk kanë probleme, drita reflektohet duke gjeneruar një reflektim të kuq, ndërsa nëse ka katarakt, reflektimi i kuq nuk shfaqet.
Adresoni herët problemet
Në mungesë të kontrolleve për shikimin dhe dëgjimin tek të porsalindurit, do të ndodhte si dikur, problemet e fëmijës do të vëreheshin vonë, kur katarakti i lindur nuk është më i shërueshëm (siç ndodh nëse zbulohet pas muajit të katërt) ose kur vonesa e të mësuarit shtyn të kontrollohet aftësia e dëgjimit të fëmijës në një kohë kur fëmija tashmë është i ekspozuar ndaj vonesës verbale. Një formë e dëmtimit të dëgjimit, nga ana tjetër, mund të adresohet në mënyra të ndryshme. Është e mundur të kryhet implanti koklear për humbje të thellë të dëgjimit, të përdoren aparate specifikë dëgjimi për fëmijët dhe në të njëjtën kohë të drejtoheni në seanca terapie të të folurit për të inkurajuar zhvillimin e duhur të aftësive gjuhësore dhe verbale.
A e dini se?
Ekzistojnë dy mënyra efektive që një grua të mbrojë shikimin dhe dëgjimin e foshnjës së saj, madje edhe para konceptimit. Njëra është vaksinimi për sëmundje të tilla si rubeola, e cila mund të shkaktojë deficite shqisore te fetusi. Tjetra është shmangia e barnave të panevojshme (duke biseduar me mjekun) dhe mbi të gjitha alkoolit.