ALI AHMETI: Flamuri ka mbajtur shpirtin tonë gjallë, gëzuar festën të gjithë shqiptarëve

Fjalimi integral i kryetarit të BDI-së z.Ali Ahmeti në akademinë solemne organizuar me rastin e 28 nëntorit-Ditës së Flamurit Kombëtar

Sot nuk mund të mos përkujtojmë 28 nëntorin pavarësisht vështirësive nga virusi dhe rreziqet pasi që është ditë që ka mbajtur shpirtin gjallë ndër mote e shekuj që ne të jemi të lirë dhe më mirë se sa kemi qenë.

Më kujtohet si i ri, fare dhe fëmijë në vitin 1970 pas ngritjes së flamurit, pas rënies së Fazli Graiçevcit dhe dhe Murat Mehmetit si gjimnazist, depërtoi një literaturë prej poetëve popullorë nga jashtë që shpërndahej nga një mullixhi Sadri Mustafa në vendlindjen tonë, atëherë dhe sot nuk i kam harruar ligjërimet e atij poeti popullorë për ngritjen e flamurit ku ai përpiqet të shpjegoj për sakrificat që bënë për mbijetesë shqiponja dhe këtë ligjërim e ndërpret Ismail Qemali, gjithmonë sipas poetit popullorë:

“Ri moj shqipe mos fol shumë fjalë se prej teje e kemi emrin shqiptar, ne tu derdh gjak e ti duke mbajt zi, për të dashurën nënë Shqipëri. Hapin e fundit e bëri plaku shpalosi flamurin e kuq prej gjaku.”

Është simbol që ka mbajtur shpirtin gjallë dhe duke mbajtur shpirtin gjallë të çdonjërit ka mbajtur gjallë një komb sepse me qindra e mijëra kombe që nuk kanë pasur simbole, janë zhdukur si gjuhët e tyre si kombet e tyre. Prandaj kjo na bënë neve që këtë ditë dhe këto dy nëntor siç shprehet edhe vet plaku i urtë Ismail Qemali, Nëntori i dytë dhe nuk ka qenë lehtë për të ruajtur 500 vjet për tu ri ngritur në vitin 1912 në Vlorë. Kjo ditë përkujtohej pavarësisht se ne ishim të okupuar, pavarësisht që neve nuk na lejohej, por ama fshehurazi e festonim, fshehurazi takoheshim dhe bënim përshkrime se si janë vrarë delegatët në vitin 1913 tani, të cilët janë nisur nga hapësirat shqiptare, nga Tetova, Gostivari, Kërçova për pjesëmarrje në Durrës dhe tani i kthejnë nga rruga sepse zhvendoset qyteti për në Vlorë.

Në vitin 1913 serbët bënë masakra mbi këto vendbanime, vetëm e vetëm pse u ngrit flamuri shqiptar në këto krahina të cilat padrejtësisht mbetën të aneksuara, mbetën jashtë vullnetit të shumicës dhe pjesës dërmuese të shqiptarëve.

Vëllezër e motra, është një e vërtet e madhe që shqiptarët kanë luftuar për tu bashkuar dhe çdokush që mund të mohoj këtë nuk e thotë të vërtetën por e fsheh atë sepse padrejtësitë të gjitha konferencave goditën mbi shpatullat tona, bëheshin pazare për të kënaqë apetite të vendeve gllabëruese fqinje, por përpjekjet nuk u ndalën, investimi për të qenë ne të lirë vërtet pato çmim të lartë, por liri e barazi pa gjak nuk ka.

Të gjitha porositë edhe në kohët më të vështira dhe në goditjet më të mëdha që kemi marrë ne si shqiptarë, por porosi dalin nga të gjitha kuvendet që janë marrë nga shqiptarët, që ne nuk jemi okupues, ne nuk jemi zullumqarë për tu rënë në qafë fqinjëve dhe popujve të tjerë.

Gjithmonë mesazhet dhe porositë kanë qenë për bashkim, për solidaritet edhe me të tjerët që kanë qenë nën okupim dhe derte e halle të njëjta si ne. Mesazhe e porosi për paqe, stabilitet gati në të gjitha periudhat e lëvizjeve të rëndësishme të shqiptarëve këto kanë qenë porositë si për komunitetin e vet ashtu edhe për komunitetet tjera.

Të rrëqethë momenti kur djali Kristi i shkruan Josif Bagerit i cili ishte në çetat vullnetare në Manastir dhe luftonin për liri edhe të maqedonasve ku i thotë: Nuk bëj asgjë më shumë nga ajo që më mësove ti që të luftojmë për liri edhe me maqedonasit sepse Shqipërinë do e bëjmë bashkë. Jo rastësisht mesazhi i Josif Bagerit është: Nga do që të vdes mos më lini por më shpimëni e më varrosni, të prehem i qenë nën hijen e pishave të Nistrovës në Shqipërinë time.

Gjërat gjatë viteve të 90-ta ndryshuan, ndryshuan aq shumë sa ne na vendosën në pozitë për tu ri definuar me qëndrimet tona, me taktikën dhe strategjinë tonë. Në radhë të parë realizuam pavarësinë e Kosovës dhe tani i hyjmë misionit tjetër për barazi të plotë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Synim dhe qëllim i yni përfundimtarë është që këto vende të rajonit tonë të jetojnë të qeta, me paqe dhe stabilitet të përhershëm, të anëtarësuar në BE, të anëtarësuar në NATO d.m.th unë si njëri nga shumë të tjerët që rrugën e filluam për bashkim e për një Shqipëri sigurisht që u ndodhëm përpara situatave për ndryshim të atyre përcaktimeve tona konform dhe në përputhje me rrethanat globale dhe politikat strategjike që u ndërtuan dhe u krijuan pas shembjes dhe rënies së murit të Berlinit. Ndoshta dikush mund të thotë apo të pyes se a jemi penduar? Jo sepse kjo është zgjidhja më e mirë, më e dobishme, më e padhembshme edhe për bashkëqytetarët tanë që jetojnë në të njëjtat hapësira dhe në të njëjtin qiell. Por mbetet ideal i pandalshëm dhe i pathyeshëm, anëtarësimi i vendit tonë në NATO, anëtarësimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian ashtu siç e përmbyllëm misionin ne këtu për NATO, presim edhe Kosova po të njëjtin mision të përmbyllë dhe si tërësi të jemi të bashkuar e të anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Prandaj, përpara nesh ka përballje të rëndësishme dhe përballë këtyre përballjeve as nuk duhet të dëshpërohemi as të dorëzohemi sepse proceset që lëmë pas nuk kanë qenë aq të lehta por edhe këto me të cilat po përballemi nuk ua tejkalojnë atyre, por ama ne na duhet guxim, na duhet frymëzim i fortë dhe mbi të gjitha për çështje madhore, ideale dhe qëllime të pa përmbushura akoma të vazhdojmë ta çelikosim unitetin tonë drejt qëllimeve finale të misioneve historike.

Të nderuar vëllezër e motra, funksionarë të lartë të shtetit, kryetar i parlamentit, ministra, zëvendëskryeministra, të nderuar ambasador të Shqipërisë, Kosovës, në emër të të gjithë juve këtu u urojë të gjithë shqiptarëve festën e Ditës së Flamurit, festën e shpalljes së Pavarësisë, Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë, këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëri, Kosovë, Evropë, Amerikë, Australi, Gëzuar dhe mirë qofshi e mirë u takofshim në festat e ardhshme kombëtare.

Me respekt,

Bashkimi Demokratik për Integrim