Intelektuali nga Struga Dr.Bexhet Asani: JEHONA E MASAKRËS SË MANASTIRIT NË KËNGËT POPULLORE TE POPUJT E BALLKANIT

Dr. Bexhet Asani

JEHONA E MASAKRËS SË MANASTIRIT NË KËNGËT POPULLORE TE POPUJT E BALLKANIT

Me rastin e 189 vjetorit së kësaj masakre po e postoj enkas për mikun tim të nderuar z. Fatmir Allmuca.

Një nga masakrat më të tmerrshme që njeh historia shqiptare, pa dyshim, është masakra e Manastirit. Herë-herë kjo ngjarje historike, në disa libra, përshkruhet me vite dhe data të ndryshme: kështu, masakra ka ndodhur në muajin gusht, por, datat ndryshojnë, disa janë të mendimit se parada është mbajtur më 9 gusht, të tjerë ndajnë mendimin se parada është mbajtur më 26 gusht, të vitit 1830. Ndërsa te libri “ Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” (1635-1912) I, del se parada dhe masakra ka ndodhur në vitin 1831. Shih fusnotën numër 1 te kënga ”Për një të mbetur në Manastir” fq. 77. Për ngjarjen dhe saktësinë e datave le t’ i referohemi Historisë së popullit shqiptar: “Nga Edreneja Mehmed Reshid pasha mbërriti në Manastir, ku ftoi krerët shqiptarë e sidomos Iljaz Podën, Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen etj., të paraqiten në selinë e tij për të biseduar për çështje të organizimit dhe pagesave të prapambetura.

Asllan bej Puçeja, që kishte qenë në luftë me forcat e Vezirit të Madh në Alasonjë, i ndërpreu luftimet dhe, pasi u takua me Veli bej Jaçen në Meçovë, vendosën të shkonin bashkërisht në Manastir të shoqëruar me kontingjente të forta ushtarësh, për të parandaluar ndonjë pabesi dhe për t’ i shkëputur vezirit të drejtat që pretendonin.

Ndërsa Asllan Beu e Veli Beu shkuan në Manastir, Iljaz Poda, që nuk i zuri besë Vezirit të Madh, u tërhoq në zonën e Dangëllisë dhe filloi përgatitjet për t ‘u mbrojtur në Malin e Melesinit në rast se sulmohej nga forcat qeveritare, që mund të vinin kundër tij nga Korça ose Janina.

Mehmed Reshid pasha nuk kishte aspak ndërmend të bisedonte me krerët shqiptarë që erdhën në Manastir, përkundrazi, ai kishte marrë masat për t’ i likuiduar ata me pabesi. Pikërisht në këtë kohë ai i preu kokën në Berat Hasan bej Vrionit dhe vari në Manastir Shaban Gegën, që kishte zënë rob në Janinë. Ndërsa ndaj bejlerëve që mbërritën në Manastir, Mehmed Reshid pasha, pasi u bëri një pritje madhështore organizoi më 9 gusht një masakër të paparë. Në këtë ditë ai i ftoi ata të merrnin pjesë në një stërvitje të reparteve të rregullta ushtarake që u bë jasht qytetit. Këtu ata do të hanin edhe drekën në një kopsht të hapur. Mirëpo sapo mbërritën në vendin e ceremonisë, dy të ftuarit e parë, Veli Jaçe beu dhe Asllan Puçe beu, ushtarët që stërviteshin i kthyen pushkët kundër tyre dhe hapën zjarr mbi ta. Kështu të qëlluar në befasi, dy bejlerët shqiptarë dhe shoqëruesit e tyre nuk mundën të bënin veçse një qëndresë të vogël. Veli Beu u vra në vend, kurse Asllan Beu, të cilit iu plagos kali, u godit dhe iu pre koka. Pas tyre, po atë ditë të 9 gushtit u vranë të masakruar po në vendin e ceremonisë edhe 800-1000 shqiptarë, kurse 400-500 të tjerë u zunë robër. (H.P.SH. f. 681-2)

Jehona e kësaj tragjedie e popullit shqiptar shkoi gjer përtejoqeanit në SHBA, kështu gazeta e famshme NEW YORK TIMES me titull “Barbarët turq” midis tjerash do të shkruaj: “Komandanti i ushtrisë turke në Shqipëri, provincë turke, i bëri thirrje prijësve shqiptarë për një kuvend, ku do të bëhej një pajtim për paqe, me kushtet e parashtruara nga prijësit shqiptarë. Posa ata u mblodhën ushtria turke sipas urdhërit rrethoi dhe masakroi të gjithë udhëheqësit e fiseve… Këto mënyra të mashtrimit dhe barbarizmit te turqit janë të rëndomta… (New York Times, 1830).

Këtë tragjedi të madhe të popullit tonë e kënduan edhe poetët popullorë të kohës. Kësaj masakre populli ynë i ka kushtuar disa këngë. Këtë masakër të paparë e kënduan edhe popujt e tjerë si: maqedonasit, bullgarët, grekët, mbase edhe popujt tjerë të Ballkanit i kanë kënduar kësaj tragjedie të njohur me emrin Masakra e Manastirit.

Johan Georg Von Hahni (1811-1869) ka shënuar dy këngë për Masakrën e Manastirit, Thimi Mitko po ashtu ka shënuar dy këngë të cilat i ka botuar te “Bleta shqiptare”, Kuzman Shapkarevi (1834-1909) ka shënuar një këngë nga Hristo pop Ivançe Grozdin. “Kënga në maqedonisht e regjistruar nga Shapkarevi, gjithashtu ka ruajtur strukturën kompozicionale të këndimit epik. Për dallim nga këngët shqipe, në të cilat të dy protagonistët Asllan Beu dhe Veli Beu paraqiten në mënyrë të barabartë, në këngën maqedonase personazh kryesor është Veli Beu dhe përgjithësisht kënga i kushtohet atij. Asllan Beu është personazh dytësor, sporadik dhe paraqitet në dy skena: (a) të arritjes në Manastir dhe (b) të vajtjes në gosti te Pashai. Paraqitja e tij në këtë mënyrë plotëson kriterin e teknikës epike të binaritetit të personazheve. Edhe kënga maqedonase, po ashtu ndahet në gjashtë njësi tematike me nga tri nënnjësi në njësinë e tretë, të pestë e të shtatë. Nis me qortimin e nënës, vijon me përshkrimin e arritjes së Veli Beut në Manastir, takimi me Asllan Beun e me Vezirin dhe biseda me këtë të fundit, qortimi i rapsodit, vajtjen në gosti, përshkrimin e planit të Pashait, konsultimin e Veliut me ushtarët, përfundimin që përshkruhet në tri shkallë. ( Neziri, 2015 : 566 ).

Nga të gjitha këngët që janë regjistruar gjer më sot, e që e këndojnë Masakrën e Manastirit, me më shumë vargje na del kënga “ Вели бег мајка караше“ (Veli Beun e qortonte nëna), në gjuhën maqedonishte, të cilën e ka shënuar Kuzman Shapkarev. Kjo këngë i ka 89 vargje, ndërsa këngët shqiptare kanë një numër më të vogël të vargjeve. Kjo mbase është e natyrshme sepse këngët e jugut në përgjithësi janë të shkurtra, qofshin këngët lirike, qofshin këngët epike, në krahasim me këngët e veriut dhe të verilindjes.

Te këngët që i ka regjistruar Thimi Mitko, përshkruhet takimi i krerëve shqiptarë, në kuvendin e Meçovës. Pas debateve të shumta dhe pas shumë dyshimeve: t’ i përgjigjen ftesës së sadriazemit apo të mos i përgjigjen, të shkohet apo të mos shkohet në Manastir, pas shumë dilemave kuvendi ndahet më dysh. Disa krerë heqin dorë nga shkuarja në Manastir, kështu që nuk i përgjigjen ftesës së sadriazemit si: Çelo Picari, Zyliftar Poda etj., kurse më të guximshmit si Veli bej Jaçeja, Asllan bej Puçeja e ndonjë tjetër, pas vendimit në Meçovë, u nisën për në Manastir që të merrnin pjesë në gostinë që kishte përgatitur Veziri i Madh Mehmed Reshid pasha me qëllim që të merrnin atë që u takonte me hir a me pahir, ndryshe siç thuhet në këngë; do të digjnin Manastirin me ushtritë e tyre kryengritësit shqiptarë:

Asllan Beu me Veli Benë,

Në Meçovë, bënë benë:

Në Manastir do të venë,

Të kërkojnë ylefenë.

Po s’ ua dha me të mirë,

Do të djegin Manastirë.

(Mitko, 1981 : 288)

Kënga “Për një të mbetur në Manastir” me numër 14 të cilën e ka regjistruar Johan Georg Von Hahnin (1811-1869) është e shkurtër, ka dhjetë vargje. Në këngë nuk përmendet kuvendi në Meçovë, nuk përmenden me emra as edhe personazhet e tragjedisë së Manastirit. Në vargjet e para poeti popullor këndon trimëritë guximin dhe bëmat e heroit, icili ishte aga i vërtetë, zot i Rumelisë, të gjithë habiteshin kur e shihnin të armatosur me kordhën në mill (me jataganin, shpatën në këllëf prej hekuri) dhe pyesnin njëri-tjetrin kush është ai? Në pjesën e dytë të këngës poeti popullor ka pëshkruar me dhimbje epilogun e Masakrës së Manastirit – vrasjen e heronjve dhe shoqëruesit e tyre:

Zëmëra jote me majë,

Kordha jote me bëtajë;

Kur e nxierë nga milli

Lëftoje vetëm filli.

Kur dalje në Rumeli,

Thoshnë gjithë: “Ç’ isht ai?”

Agai me tevabi,

Aga seç pësuatë

Plumbatë që muartë?

Me nam o aga!

(Hahn, 1961 : 77)

Te libri i Claude Fauriel “Këngë popullore greke” gjendet kënga popullore me numër 272. (Kënga e Veli Beut, Asllan Beut dhe e sadrazemit) dhe ky shënim i shkurtër: “Kushtuar Veli Beut dhe Asllan Beut, krerëve shqiptarë nga anët e Përmetit, të cilët duke përfituar nga beteja e fundit mes Rusisë dhe Turqisë, bënë shumë të pabëra e të paudha dhe që, kur mbërritën në Bitolë – kupto Manastir, sadrazemi i atëhershëm Reshid Mehmet pasha, i ftoi si miq. Duke ikur pa nuhatur gjë, u vranë mjeshtërisht prej trupave të ardhura posaçërisht për herë të parë nga Stambolli. Kjo ndodhi rreth vitit 1830. Vrasja e tyre ngjalli tmerr të madh ndër gjithë shqiptarët”. (Fauriel,1999 : 196).

Për nga struktura e vargjeve kënga popullore greke “Tre zogj qëndronin, aty lart në Manastir” është e afërt me këngët popullore shqiptare. Kënga i ka 19 vargje. Mungojnë të dhënat se në ç’ kohë është regjistruar kjo këngë. Nuk dihet a përkon me kohën kur janë shënuar këngët nga Hani, Thimi Mitko dhe Kuzman Shapkarev! Me rëndësi është se përveç shqiptarëve, maqedonasve Masakrës së Manastirit i ka kënduar edhe populli grek. Shtrohet pyetja: po arvanitasit a i kanë kënduar tragjedisë së popullit të tyre!? Masakra e krerëve shqiptarë të Jugut të Shqipërisë në Manastir, mbase ka bërë jehonë edhe te popujt e tjerë të Ballkanit si te serbët, malazezët, boshnjakët, kroatët etj., sepse në atë kohë nuk qenë të thelluara ndasitë dhe apetitet siç janë sot në kohët tona në Ballkanin e trazuar. Po le të kthehem te kënga popullore greke, për të cilën nuk është ditur dhe nuk është shkruar për të. Këngëtari popullor grek me një mjeshtëri të rrallë ka pasqyruar tërë realitetin e hidhur të asaj tragjedie të popullit shqiptar, edhe atë vetëm me 19 vargje. Që në vargjet e para poeti popullor grek, siç ndodh te këngët epike, paralajmëron tragjeditë nëpërmjet tre zogjve. Dy zogjtë: njëri shikon Janinën dhe tjetri shikon Manastirin, kurse i treti rrëfen ngjarjen duke vajtuar:

Tre zogj qëndronin aty lart në Manastir,

Njëri sheh Janinën, tjetri Bitolën,

I treti, më i bukuri, vajton dhe thotë:

“Na erdhi pranverë e hidhur edhe behari i zi,

Na erdhi edhe vjeshta e hidhët, farmak,

Sadrazemi çoi haber, në Manastir të shkojmë.”

(Fauriel, 1999 : 196)

Siç mësojmë nga historia: një veprim i ngjashëm dhe i pabesë u krye edhe nga Veziri i Madh Emin Pasha, ndaj Myslim Beut e Kapllan Beut, i pari vëlla i Veli Beut, ndërsa i dyti i Asllan Beut. Kapllan beu mundi të shpëtonte por, para se të largohej nga Janina, bëri një akt të pakuptimtë e barbar, dogji thuajse gjysmën e qytetit.

Me masakrën e Manastirit dhe të Janinës Mehmed Reshid Pasha synonte t’ u jepte një mësim krerëve të tjerë shqiptarë dhe t’ i bënte që të nënshtroheshin. (H.P.SH. f. 682)

Kënga popullore greke “Tre zogj qëndronin aty lart në Manastir” njeh dy heronj Veli bej Jaçen dhe Asllan bej Puçen. Janë po ata heronj si te këngët e tjera që njihen dhe nga historia. Këngëtari popullor grek rrëfen se sadriazemi u ka çuar haber Veli Beut dhe Asllan Beut dhe se duhet të shkojnë në Manastir. Në këngë edhe pse thuhet: se kanë shkuar për t’ i bërë “temena” sadriazemit, megjithatë ata shkuan në Manastir me taborin e tyre ushtarak. Në këngë shihet qartë se i dërguari i Sulltanit sadriazemi i qorton “bijtë e tij” për bëmat dhe zullumet e tyre që kishin bërë në disa vilajete. Kështu, sadriazemi në këngë, ua kujton dëmet që kanë bërë dhe kokëçarjet që i kanë sjellur Sulltanit se: qytetin Kozan “e keni bërë lesh e li”, “e Janinën e rrafshuat”:

“Për ju ankime erdhën nga gjithë vilajetet;

Kozan kasabanë e bëtë lesh e li,

Janinën e rrafshuat, të parin vilajet”.

(Fauriel, 1999 : 196)

Poeti popullor rrëfen se kapedanët Jaçe Beu dhe Asllan Beu, pranojnë fajet që kanë bërë dhe se kërkojnë që t’ i falë sadriazemi:

“ Vërtetë, efendi, bëmë faj dhe duam të na falësh!”

( Fauriel, 1999 : 196)

Pa ngurruar sadrazemi i falë “bijtë e tij” siç i quan ai, ndërkohë Veli Beut ia kujton postet dhe ofiqet që i ka dhënë:

“Ty Veli Bej, të bëra pasha, në Selanik vezir.

(Fauriel, 1999 : 196)

Në katër vargjet e fundit të këngës dialogu merr tatëpjetën. Epilogu është i tmerrshëm. Poeti popullor grek tërë këtë masakër e ka përshkruar vetëm me katër vargje. Sadriazemi sipas marrëveshjes, Mirallait i pëshpëritë në vesh, me qëllim që krerëve shqiptarë t’ ua bëjë ekzekutimin pa gjyq. Në çast, pas pëshpëritjes në vesh, një batare plumbash qëllojnë kapedanët shqiptarë. Pasi Asllan Beu vritet, muhurdari ia pret kokën për t’ ia çuar Sulltanit në Stamboll:

Mirallain thirri, diçka i thotë në vesh:

“Merre Velinë dhe Asllanë dhe të m’ u bësh davet.”

Në batare i vunë; Asllan Beu dajandisi,

Muhurdari u turr dhe kokën ia mori.

(Fauriel, 1999 : 197)

Pasojat e Masakrës së Manastirit dhe masakrave të tjera të Perandorisë osmane ndaj krerëve të fiseve shqiptare të Shqipërisë së Jugut ishin shumë të mëdha. Aspiratat e popullit shqiptar për çlirim u zbehën. Tmerri kishte kapluar tërë vendin. Kjo masakër u bë shkaku kryesor i një letargjie e popullit shqiptar që të mbesë edhe për tetëdhjetë e dy vjet nën thundrën e Perandorisë osmane.

Shënim: Falënderoj për ndihmën që më dha prof. dr. Dhori Q. Qirjaz nga Universiteti i Selanikut, i cili sipas dyshimeve të mia se edhe grekët si fqinj mund të kishin këngë që i kushtoheshin Masakrës së Manastirit, pa hamendje e mori për sipër këtë detyrë me përgjegjësinë e një shkencëtari serioz dhe e gjeti veprën e Claude Fauriel “Këngë popullore greke” 1999 dhe e përktheu nga greqishtja këngën 272. (Kënga e Veli Beut Asllan Beut dhe e sadriazemit). Mirënjohje prof. Dhori Q. Qirjaz.

Bibliografi:

Fauriel, Claude (1999), Këngë popullore greke. Tekste të pabotuara, aparat kritik analitik, suplement dhe shtojcë. Përkujdesja për botim Aleksis Politis. Botimet Universitare të Kretës, Herakleion 1999.

Gazeta New York Times, 1830 .

Historia e popullit shqiptar, Botimet Toena, Tiranë, 2002.

Konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar jetës dhe veprës së Thimi Mitkos në 150 vjetorin e lindjes, Korçë, 25-26 mars 2015.

Mitko, Thimi (1981), Vepra. Përgatitur nga Q. Haxhihasani, Tiranë.

Haxhihasani, Qemal (1981) “Hyrje”, Epika historike I, Tiranë.

Sako, Z., Fico, A., Harito, K., Haxhihasani, Q. (red.) (1961), Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar ( 1635-1912) I, Tiranë.