Vaksina nuk do të na shpëtojë nga pandemia, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes

Pavarësisht pritjeve për qasje në vaksinë për koronavirus brenda disa javëve, Shteteve të Bashkuara dhe amerikanëve do t’iu duhen disa muaj – ndoshta edhe i tërë viti 2021 – përpara se gjërat t’i kthehen normalitetit dhe që njerëzit të mund të shkojnë nëpër kinema, të ndjekin një ndeshje basketbolli apo të përqafojnë gjyshen.

Shpërndarja e dozave të para të vaksinës do të shënojë vetëm fillimin e asaj që mund të jetë rrugë e gjatë dhe e komplikuar për t’i dhënë fund pandemisë, që ka ndryshuar jetët e njerëzve dhe ka vrarë më shumë se çerek-milioni persona në Shtetet e Bashkuara.

Prandaj amerikanëve po u bëhet thirrje që të mos heqin dorë nga kujdesi i shtuar.

“Nëse jeni duke luftuar në betejë dhe kalorësia është rrugës, mos i ndalni të shtënat, vazhdoni derisa kalorësia të vie këtu, dhe më pas ju madje edhe mund të vazhdoni luftimet”, ka thënë Anthony Fauci, ekspert për sëmundje infektuese në Shtetet e Bashkuara.

Këtë javë, AstraZeneca është kthyer në krijuesen e tretë të vaksinës, që ka thënë se të dhënat tregojnë se dozat janë tejet efektive.

Javën e kaluar, kompania Pfizer i ka kërkuar Administratës amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve autorizim urgjent për nisje të shpërndarje të vaksinës, derisa Moderna pritet ta bëjë të njëjtën gjë këto ditë.

Zyrtarët federalë kanë thënë se dozat e para do të mund të transportohen pak ditë pas autorizimit.

Megjithatë, shumica e njerëzve do të duhet të presin për muaj që të sigurojnë dozat e para të vaksinës.

Vaksinat e kompanive Pfizer dhe Moderna, kërkojnë marrjen e dy dozave, që nënkupton se njerëzit duhet të kthehen mbrapa për sigurimin e dozës së dytë pas tre apo katër javëve respektivisht, për të pasur mbrojtje të plotë.

Moncef Slaoui, udhëheqës i përpjekjeve amerikane për zhvillim të vaksinës, ka thënë në kanalin televiziv amerikan, CNN të shtunën, se të dhënat e hershme të Pfizer dhe Modernas sugjerojnë se rreth 70 për qind e popullsisë duhet të vaksinohet për të krijuar imunitetin e tufës – gjë e cila sipas tij mund të ndodhë në muajin maj.

Por, përgjatë rrugës, ekspertët thonë se sfidat logjistike të fushatës më të madhe të vaksinimit në historinë amerikane dhe frika e publikut, bashkë me dezinformatat, mund të dëmtojnë procesin dhe fundi i pandemisë të shtyhet më tej.

“Do të jetë proces i ngadalshëm dhe do të jetë proces me ulje dhe ngritje, ashtu siç e kemi parë deri më tani”, ka thënë mjeku Bill Moss, ekspert për sëmundje infektive në Universitetin Johns Hopkins.

Vaksinat në krah
Kur zyrtarët federalë të japin dritën e gjelbër për vaksinë, dozat që janë gati, do shpërndahen me qëllim të “futjes së gjilpërave në krahët e njerëzve”, brenda 24 deri 48 orëve të para, ka thënë Paul Mango, zyrtar i Departamentit amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, i përfshirë në operacionet për zhvillim të vaksinës.

Dërgesat e para pritet të jenë të kufizuara dhe do të ndahen për grupet me rrezik të lartë siç janë punëtorët shëndetësorë nëpër spitale.

Zyrtarët federalë dhe ata shtetërorë ende janë duke analizuar se kë ta fusin në listën e prioriteteve, duke përfshirë të moshuarit, të burgosurit dhe të pastrehët.

Sipas zyrtarëve, një pjesë e qytetarëve do të mund të marrin dozat e para në fund të muajit janar, nëse vaksina bëhet e disponueshme në fund të vitit 2020.

Për të gjithë të tjerët, vaksina pritet të jetë gati në muajt vijues.

Për të bërë vaksinën më lehtë të qasshme, zyrtarët shtetërorë dhe ata federalë janë duke krijuar një listë të rrjeteve të furnizuesve, siç janë barnatoret dhe zyrat e mjekëve.

Mirëpo radhët e gjata të pritjeve nuk duket se do të jenë problem.

“Një nga gjërat që mund të jetë faktor dhe nuk është diskutuar shumë është: ‘Sa njerëz kanë gatishmëri për t’u vaksinuar?”, ka thënë Christine Finley, drejtore e programit për imunizim në Vermont.

Ajo ka vërejtur se zhvillimi i vaksinës dhe politikat rreth saj kanë nxitur shqetësime për sigurinë.

Edhe nëse vaksinat e para rezultojnë efektive sa sugjerojnë të dhënat fillestare, ato nuk do të kenë shumë efekt nëse njerëzit nuk do t’i marrin.

Nuk ka plumb magjik
Vaksinat nuk janë gjithmonë efektive te të gjithë: Shembull, përgjatë dekadës së kaluar, vaksinat e gripit sezonal kanë qenë efektive në rreth 20 deri në 60 për qind të personave që i kanë marrë.

AstraZeneca, Pfizer dhe Moderna, kanë thënë se të dhënat fillestare sugjerojnë se vaksinat e tyre potenciale janë rreth 90 për qind apo më shumë efektive.

Mirëpo këto shifra mund të ndryshojnë deri në kohën e përfundimit të studimit.

Po ashtu, edhe definicioni i “efektivitetit” mund të ndryshojë.

Në vend të parandalimit total të infektimit, vaksinat e para për koronavirus ka mundësi që të parandalojnë vetëm procesin e sëmurjes.

Personat e vaksinuar do të mund të bartin sërish virusin te dikush tjetër, një tjetër arsye pse sipas ekspertëve mbajtja e maskave do të jetë gjë shumë e rëndësishme edhe për një kohë.

Një tjetër aspekt i vaksinave: Mund të marrin kohë për të funksionuar.

Dozat e para të vaksinës për COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, mund të krijojnë një shkallë të mbrojtjes brenda javëve, që nënkupton se njerëzit që infektohen mund të mos jenë të sëmurë, siç do të kishin mundësi.

Mirëpo mbrojtja totale do të mund të marrë rreth dy javë pas marrjes së dozës së dytë – apo rreth gjashtë javë pas marrjes së dozës së parë, ka thënë Deborah Fuller, eksperte për vaksina në Universitetin e Uashingtonit.

Njerëzit që nuk e kuptojnë këtë proces mund të gabohen dhe të mendojnë se vaksina i ka sëmurë, nëse bien në kontakt me koronavirusin pak pasi janë vaksinuar.

Njerëzit po ashtu mund të fajësojnë vaksinën për probleme tjera shëndetësore që janë përmendur në platforma online.

“Gjithçka ju duhet janë disa njerëzve nëpër mediat sociale”, ka thënë Moss nga Universiteti Johns Hopkins.

Ka po ashtu mundësi të efekteve të vërteta anësore.

Testimet e vaksinës për koronavirus kanë përfshirë të paktën 30,000 persona, mirëpo mundësitë e ndonjë efekti të rrallë anësor janë duke u rritur teksa më shumë njerëz janë duke u vaksinuar.

Edhe nëse ndonjë lidhje në mes të një vaksine dhe efekteve të mundshme anësore është e mundshme, shpërndarja e vaksinave nuk duhet të ndalet nëse rreziku është i vogël dhe nuk tejkalon përfitimet, ka thënë mjeku Wilbur Chen, ekspert për vaksina në Universitetin e Merilandit.

Mirëpo Chen ka thënë se zyrtarët e shëndetit publik do të duhet të qartësojnë rreziqet potenciale, në mënyrë që të shmangin panikun publik.

Varësisht nga fakti nëse virusi përjeton ndryshime në vitet në vijim dhe se sa zgjat mbrojtja nga vaksina, dozat përforcuese më vonë mund të jenë të nevojshme, ka thënë mjeku Edëard Belongia, hulumtues për vaksina në Institutin Kërkimor të Klinikës Marshfield në Viskonsin.

Belongia dhe shumë të tjerë thonë se koronavirusi nuk do të zhduket dhe do të kthehet në një nga shumë viruset sezonale që prekin njerëzit.

Sa shpejt do të ndihmojnë vaksinat që të ulin shkallën e kërcënimit të virusit në atë nivel?

“Në këtë pikë, neve na duhet të presim dhe të shohim”, ka thënë Belogia.