Të gjitha automjetet që kanë hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut që nga 1 tetori 2020 dhe që janë me targa të huaja do të mund të regjistrohen në vend brenda një viti me tarifë të ulur për 50% të vlerës së përcaktuar të të gjitha detyrimeve që paguhen gjatë importit nga organet kompetente shtetërore.
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria sot miratoi Projektligjin për regjistrimin e automjeteve me targa të huaja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas Projektligjit që hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, pas miratimit nga ana e Kuvendit automjetet për të cilat është paraqitur kërkesa për regjistrim duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
– pronari ose përdoruesi, dmth personi i autorizuar për marrjen e pronësisë së automjetit ose personi që do të blejë automjetin të ketë rregulluar detyrimet doganore dhe tatimore për automjetin brenda gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të ketë leje të vlefshme për vozitje, sigurim dhe karton të gjelbër ;
– të kenë hyrë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri më 1 tetor 2020.
Qëllimi i kësaj zgjidhje ligjore është mundësi për qytetarët, pronarët ose përdoruesit e automjeteve që të mund të regjistrojnë automjete me targa të huaja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.