Ndjesa e Maradonës
Pavarësisht asaj çfarë publikohet dhe thuhet mbi Maradonën, sidomos kohët e fundit, sipas mendimit të shumë ekspertëve ai mbetet lojtari më i mirë botëror i futbollit. Edhe sot e kësaj dite kur sheh ndeshjet ku ka luajtur Maradona, mbetesh pa frymë. Ai luajti fillimisht me skuadrën e Napolit e cila ishte në kategorinë e dytë, por që falë talentit të Maradonës kaloi në të parën, madje fitoi kampionatin e Italisë. Ai e çoi Argjentinën në botëror dhe bëri që ta fitojë kupën e botërorit dy herë. Maradona është nga lojtarët legjendarë që ka hyrë në historinë e futbollit.
Kohët e fundit, mediat evropiane publikuan një lajm pozitiv mbi jetën dhe aktivitetin e Maradonës. Gjatë një vizite turistike të tij në Tunizi, ai kërkoi të takohej me një person të njohur dikur, ish gjyqtarin tunizian, Ali bin Nasir i cili gjykoi ndeshjen Argjentinë – Angli në botërorin e 1986 të cilin Argjentina e fitoi 2 – 0.
Po përse vajti ta vizitojë në shtëpi?
Kjo sepse Maradona në këtë ndeshje shënoi një gol me dorë. Dukej sikur ai e goditi topin me kokë, por regjistrimet treguan se ai e ka goditur topin me dorë. Vetë gjyqtari Ali bin Nasir nuk e vuri re dhe e konsideroi golin të vlefshëm, pavarësisht kontestimeve të skuadrës angleze. Vetë Maradona kur u pyet më pas deklaroi se goli ishte i vlefshëm dhe se e kishte shënuar me kokë, jo me dorë.
Pas kaq shumë viteve, Maradona shkoi te Ali bin Nasir në Tunizi për një vizitë ku i kërkoi të falur. Ai i dhuroi një çertifikatë vlerësimi dhe fanellën e tij, duke i kërkuar falje dhe njëherë para kamerave.
Pavarësisht se kanë kaluar mbi njëzet vite dhe pavarësisht skandaleve që i publikohen herë pas here, Maradona ka jetuar me ndjenjën e fajit gjithë këto vite. Ai nuk e ka harruar faktin që ka marrë diçka që nuk i takonte.
Çdo njeri, pavarësisht sa pajtohemi apo jo me të, ka brenda në zemër mirësi dhe bardhësi e cila e shtyn gjithmonë drejt të mirës dhe të bukurës.