Mickoski: Paaftësia e qeverisë është po aq e rrezikshme sa vetë virusi

Kreu i VMRO-DPMEN-së opozitare, Hristijan Mickoski përmes një video mesazhi u bëri thirrje qytetarëve që të mos dalin nga shtëpia pa nevojë, të mbajnë maskë dhe të mbrojnë veten dhe familjen.

“Nëse qeveria nuk është në gjendje t’ju ndihmojë, ndihmoni veten. Çdo person është i rëndësishëm dhe jeta nuk është numër dhe përqindje”, tha Mickoski.

Mickoski duke iu referuar statistikave të sotme të koronavirusit, tha se Maqedonia kurrë nuk ka qenë në një situatë më të keqe se tani, dhe se është një nga vendet që më së keqi po menaxhon pandeminë në Evropë, për të cilën ai fajësoi Qeverinë.

“Në vendin tonë, paaftësia e qeverisë është po aq e rrezikshme sa vetë virusi. Spitalet po mbushen, personeli mjekësor është lodhur. Kjo është një humbje e rëndë për shtetin dhe çmimi po paguhet nga qytetarët. Nuk ka termine të mjaftueshme për testime, ndërsa Filipçe thotë se qytetarët paraqiten me vonesë për trajtim. Unë u besoj qytetarëve, por më duket se ministri ka humbur kontaktin me realitetin duke mbajtur konferenca për shtyp ku na tregon statistikat e zeza dhe masat e vonuara”, pohoi Mickoski.

Kreut i opozitës maqedonase edhe njëherë theksoi se si parti disa herë kanë kërkuar që të lirohen nga puna të sëmurët kronikë, si në sektorin privat, edhe në atë shtetëror, por që sipas tij, Zaev dhe Filipçe nuk kanë reaguar.

“Kështu që duhet të dinë se çdo humbje është pjesë e përgjegjësisë së tyre”, deklaroi Mickoski në video-mesazhin e sotëm.