Prokurori i përgjithshëm, William Barr, ka autorizuar prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara që të nisin hetime për parregullsitë në procesin e votimit, pavarësisht se nuk ka të dhëna për të mbështetur pretendimet e presidentit Donald Trump se ai ka humbur zgjedhjet ndaj demokratit Joe Biden për shkak të mashtrimeve të përhapura zgjedhore.
Si përgjigje ndaj kërkesës së prokurorit Barr, mediat amerikane kanë raportuar se udhëheqësi i Degës për Krime Zgjedhore në Departamentin e Drejtësisë ka njoftuar përmes një emaili se do të japë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi ka lexuar “politikat e reja dhe degëzimet në lidhje me të”, shkruan agjencia Reuters.
Trumpi nuk është duke pranuar assesi humbjen ndaj demokratit Biden, që sipas projeksioneve kryesore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë votat elektorale të mjaftueshme për të qenë president i ri i vendit.
Në disa postime të reja në “Facebook”, ai është shprehur i bindur se rezultatet përfundimtare do t’ia japin edhe një mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ai ka thënë se republikanët po shënojnë ngritje të përkrahjes derisa po numërohen votat në disa prej shteteve të fundit. Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen javën e ardhshme.
Të shtunën, Bideni u shpall fitues, ndërsa Trumpi vazhdon të përsërisë se “ka pasur mashtrime” në zgjedhje dhe se ai është fituesi i vërtetë. Mediat amerikane raportojnë se ka edhe një numër zyrtarësh të lartë të Partisë Republikane që po e mbështesin presidentin Trump për ta vazhduar betejën gjyqësore kundër demokratit Joe Biden, i cili tashmë ka krijuar ekipin e transicionit të pushtetit.
Barr, mbrojtës i ngushtë i Trumpit, është akuzuar nga demokratët për politizim të sistemit gjyqësor disa herë gjatë udhëheqjes së tij. Fushata e Bidenit ka thënë se Barr është duke nxitur sugjerime të paargumentuara të Trumpit për mashtrime.
“Këto janë ato lloj pretendimesh që presidenti dhe avokatët e tij janë duke i bërë në mënyrë të pasuksesshme çdo ditë, teksa paditë e tyre janë duke u dërguar nga një gjykatë në tjetrën”, ka thënë Bob Bauer, këshilltar i lartë i Bidenit.
Vendimi i Barrit vjen teksa administrata Trump i ka bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë që të hetojë pretendimet për mashtrime, në kohën kur ekipi i Trumpit ka nisur padi nëpër disa shtete. Gjyqtarët kanë hedhur poshtë paditë në Michigan dhe Georgia, derisa ekspertët kanë thënë se përpjekjet ligjore të Trumpit kanë pak mundësi të ndryshojnë rezultatin zgjedhor.
Në letrën e tij dërguar prokurorëve federalë në të gjitha Shtetet e Bashkuara, Barr ka theksuar se Departamenti i Drejtësisë jodomosdo ka të dhëna për rastet e mashtrimit në zgjedhjet e fituara nga presidenti i zgjedhur Biden.
Mirëpo ai ka larguar kufizimet paraprake, që parandalonin prokurorët federalë nga nisja e hetimeve të tilla, të cilat normalisht kryhen nga shtetet.
“Marrë parasysh se votimi në zgjedhjet aktuale është kryer, unë ju autorizoj që të kërkoni rreth pretendimeve substanciale rreth votimeve dhe parregullsive me vota, para se të kryhet certifikimi i zgjedhjeve në juridiksionin tuaj në disa raste”, ka thënë Barr përmes një letre.