Diskutim për Propozim buxhetin e vitit 2021: Shëndetësi, rimëkëmbje ekonomike dhe rritje të përshpejtuar ekonomike në afat të mesëm dhe të gjatë

“Mbështetje për shëndetësinë dhe rimëkëmbjen ekonomike nga Covid-19, janë prioritetet kryesore për vitin e ardhshëm. Gjithashtu do të zbatohen reforma në financat publike që do të mbështesin rritje ekonomike të përshpejtuar në afat të mesëm dhe të gjatë”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi në takimin e mbajtur me rastin e përgatitjes së Buxhetit për vitin 2021 me institucionet ndërkombëtare, ku morën pjesë delegacione nga BE-ja, FMN-ja dhe Banka Botërore, ndërsa të njëjtën gjë e theksoi edhe në takimin e ekspertëve që u mbajt gjithashtu me po këtë rast.

– Procesi i tërësishëm i reformave në financat publike do të nënkuptojë prezantimin e konceptit të Financave SMART (Strategjike, të Qëndrueshme, të Përgjegjshme, Reformuese dhe Transparente), gjegjësisht financa publike që do të mbështesin rritje ekonomike të përshpejtuar në afat të mesëm dhe të gjatë, në kuadër të qëndrueshmërisë fiskale dhe qëndrueshmërisë makroekonomike dhe financiare, – theksoi ministri Besimi.

Gjithashtu, ministri shtoi se bazat kryesore mbi të cilat do të bazohet Buxheti për vitin 2021 do të jenë “rritja ekonomike e përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, që do të bazohet në sundimin e së drejtës dhe ngritjen e kapacitetit të institucioneve, zbatimin e projekteve të infrastrukturës që kontribuojnë në rritjen, si dhe zbatimin e masave dhe politikave për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe për përmirësimin e konkurrencës së kompanive”.