Një ngjarje interesante ka ndodhur dje në fshatin Ladorisht. Një mërgimtari nga ky fshat, gjatë faljes së namazit të Xhumasë në xhaminë e fshatit i ka rënë ora e dorës dhe nuk e ka vërejtur.
Ora ka qënë e firmës Breitling dhe sipas informatave të VOX Struga-s ka kushtuar rreth 10 mijë franga zvicerane.
Pronari i orës punon në Zvicër dhe është i njohur për redaksinë tonë.
Orën e humbur e ka gjetur tjetër person, banor i fshatit Ladorisht, i cili menjëherë e ka paraqitur rastin tek bashkëvendasit, për ta mësuar pronarin dhe për t’ia kthyer atij orën e gjetur.
Njoftimi se është gjetur kjo orë e shtrenjtë u publikua në rrjetin social Facebook, në faqen e quajtur Ladorishti, që ndiqet nga pothuajse gjithë ladorishtarët.
Me ndihmën e saj, për pak kohë pronari u gjet dhe ora iu dorëzua në dorë.
Duke e ditur vlerën e saj, personi që e ka gjetur pa kurrfarë hezitimi ka vepruar siç duhet duke e kthyer një send me vlerë të madhe monetare. Akti i kthimit të orës vlen shumë më tepër se çmimi i orës.