Opozita maqedonase ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie të ekspertëve apo të shpëtimit kombëtare deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme paraletrare.
Kjo, sipas deputetit të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, do të ishte rruga e vetme pas bllokadës të vendosur nga Bullgaria mbi procesin e integrimit evropian të vendit, por edhe për shkak të menaxhimit jo të mirë të krizës me pandeminë.
“Në shoqërinë maqedonase, Zaev po bëhet faktor i mosbesimit midis shumicës së qytetarëve. Ekipi qeveritar nuk ka kapacitet për të ofruar rrugëdalje nga kjo krizë politike dhe ekonomike dhe për të ndërtuar një konsensus të gjerë politik dhe kombëtar mbi një strategji të re për progres të qëndrueshëm dhe institucione funksionale”, ka shkruar në fejsbuk, deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Me një kërkesë të tillë dje doli edhe kryetari I kësaj partie Hristijan Mickovski pas takimit me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela i cili gjithashtu ka kërkuar qeveri teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Ajo që na ndodhi sot është një dëshmi tjetër e katastrofës nacionale që Zaev i solli kombit maqedonas, qytetarëve të Maqedonisë pa marrë parasysh përbërjen e tyre etnike dhe shtetit maqedonas. Prandaj, ata duhet të largohen nga pozicionet e tyre menjëherë dhe të organizojnë zgjedhje të parakohshme, në një afat që do ta lejojnë kushtet shëndetësore. Tani duhet të fillojmë të mendojmë për idenë e Aleancës për Shqiptarët, për një qeveri të shpëtimin kombëtar, një qeveri teknike ose ndonjë formë tjetër të qeverisjes”, ka deklaruar Mickovski.