Kandidati demokrat për president të SHBA-së, Xho Bajdën është në avantazh ndaj kundër-kandidatit të tij republikan, Donald Trump. Ndërkohë që numërimit të votave po i afrohet fundi, Bajden ka siguruar 264 vota elektorale nga 270 sa i duhen për të fituar, ndërsa Trump ka 214 vota elektorale. Një garë e ngushtë po zhvillohet në Xhorxhia, ku në epërsi të lehtë është Bajden, ndërsa pa 16 votat elektorale të këtij shteti Trump nuk mund ta sigurojë mandatin e dytë 4 vjeçar. Bajden është poashtu në epërsi edhe në tre shtetet e tjera vendimtare, në Nevada, Arizona dhe në Pensilvani. Fjalimi i fundit i kandidatit republikan, Trump gjatë së cilit akuzoi për vjedhje votash u ndërpre në gjysmë nga shumica e mediave amerikane, meqë sipas tyre pretendimet e Trumpit, por pa prova, ishin manipuluese dhe lajme të rreme.
Nëse i numëroni votat legale, unë fitoj lehtë. Nëse i numëroni votat jolegale, do të mundohen të na i vjedhin zgjedhjet, nëse i numëroni votat që vijnë shumë vonë. Kam fituar bindshëm shtete shumë kritike përfshirë fitoret masive në Florida, Ajova, Indiana, Ohajo. I fituam këto dhe shumë të tjera, pavarësisht ndërhyrjes zgjedhore nga media të mëdha, para të mëdha dhe teknologji të mëdha. Fituam me numra historik – tha Donald Trump, Kandidat republikan për President të SHBA-së.
Ndryshe nga Trump, kundër-kandidati i tij, Bajdën ritheksoi nevojën për numërim të çdo vote.
Në Amerikë çdo votë është e shenjtë, është shprehje e vullnetit të këtij populli. Vullneti i votuesve, askush dhe asgjë tjetër, është ai që e zgjedh Presidentin e SHBA-së. Prandaj çdo fletëvotim patjetër të numërohet, kjo po ndodhë dhe kështu duhet të ndodhë. Demokracia ndonjëherë është e çrregulltë, ndonjëherë kërkon shumë durim, por ky durim është shpërblyer mbi 240 vjet me sistemin e qeverisjes që ia ka zili e gjithë bota – u shpreh Xho Bajdën, Kandidat demokrat për President të SHBA-së.
Në këto zgjedhje presidenciale rreth 160 milion amerikanë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, që shënon rekord të pjesëmarrjes së amerikanëve në zgjedhje.