Hashim Thaçi jep dorëheqjen nga posti i Presidentit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqjen pas konfirmimit të akuzës nga Gjykata Speciale. Thaçi theksoi se është krenarë që ka luftuar për lirinë e Kosovës dhe që ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent zyrtarisht që gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën ndaj meje. Çmimi i vogël i radhës që kërkohet të paguhet për lirinë e vendit tonë.  Unë jam me fat që jam gjallë e kam parë me sytë e mi ëndrrën tonë shekullore të bëhet realitet. jam krenar që kam qenë pjesë e UÇK. krenar që bashkë me aletatët tanë kemi luftuar regjimin e Miloshevicit, e kemi fituar lirinë. Fitorja jonë ka nënkuptuar edhe përgjegjësi. kemi qenë të përkushtuar për shtet. Jemi populli liridashës, por jo hakmarrës, asnjë pretendim nuk do shkruajë historinë. Kosova ka qenë viktima Serbia agresori. -tha Thaçi në një konferencë për media në Prishtinë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 24 qershor ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Në muajin korrik, Thaçi u morr në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku ka folur, siç ka deklaruar, për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar në vitin 2015 pas ndryshimeve kushtetuese, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.