Paris, 4 tetor 2020
Ndërron jetë Remzi Përnaska, nipi i Nuri Sojliut dhe Ibrahim Temos
Të dashur miq!
Sot, pranë familjes së tij, në Paris, është ndarë nga jeta Prof. Dr. Remzi Përnaska.
Familja humbi njeriun më të shtrenjtë: Tana – bashkëshortin, Artani dhe Mirela – atin e çmuar; Lumja, Ivziu dhe Petriti – vëllanë e dhembshur e të kudogjetur; studentët- pedagogun e adhuruar, studiuesit – mikun dhe kolegun dinjitoz; Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë studiuesin e talentuar; Akademia e Shkencave – një nga zërat më të çmuar; shoqëria shqiptare – një njeri të mrekullueshëm, qyteti i Strugës ambasadorin më të devotshëm të saj!
U prehtë në paqe dhe ngushëllime të sinqerta familjarëve!
Kush ishte Prof. Dr. Remzi Përnaska?
Prof. Dr. Përnaska ishte një figurë e madhe e gjuhësisë shqiptare dhe mësimdhënies universitare. Gjuhëtar shqiptar dhe francez, studiues dhe pedagog prej më shumë se 50 vjetësh.
Ai ka kontribuuar aktivisht në studimin dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe. Ka qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, ka mbrojtur tri doktorata në gjuhësi, dy në Francë dhe një në Shqipëri. Në Francë, në sajë të studimeve dhe botimeve shkencore, arriti të marrë gradën më të lartë shkencore, Docteur d’Etat (Doktor Shteti). Universiteti i Elbasanit, me rastin e 80-vjetorit, i dha titullin “Doctor Honoris Causa”. Ka mbajtur ligjërata shkencore në Tiranë, në Prishtinë, në Maqedoninë e Veriut, në Paris e gjetkë.
Ka qenë anëtar i disa shoqatave gjuhësore të Francës dhe Parisit dhe pjesëtar komisionesh dhe redaksish botuese në Shqipëri. Profesor Përnaska ka qenë patriot në ndihmë të çështjes shqiptare në Paris.
Profesor Përnaska si moto udhëheqëse ka patur “Botën time e drejton dëshira për të qenë i dobishëm.”
Jeta dhe edukimi
Ai qysh në fëmijëri ishte në kontakt me tri gjuhë, shqipen, turqishten dhe maqedonishten, kjo pasi 6 vitet e para të fëmijërisë së hershme i kaloi në qytetin e Strugës pranë gjyshit të tij nga nëna, Nuri Sojliut, që ka qenë delegat dhe ka nënshkruar dokumentin e shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë. Në Korçë vijoi shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesmen “Raqi Qirinxhi”, e cila konsiderohet si vazhduese e traditës së Liceut. Aty mësoi edhe rusisht e frëngjisht dhe pas gjimnazit, për rezultate të shkëlqyera, iu dha e drejta e studimit për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Në vitin 1960 u dërgua për studime orientalistike në Moskë. Në vitin 1961 vazhdoi studimet e larta për Gjuhë e Letërsi shqipe në Fakultetin e Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij akademike
Në vitin 1974 do ta gjejmë në Paris si lektor të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore. Atje punoi deri në vitin 1982. Puna si lektor tashmë ndërlidhet me atë të udhëheqësit shkencor për disertantët e rinj, shqiptarë dhe të huaj. Ai ka udhëhequr punime vjetore, diploma dhe disertacione për shkallën e parë të kualifikimit pasuniversitar, sidomos në planin përqasës midis një gjuhe të huaj dhe asaj shqipe. Prof. Përnaska ka qenë anëtar i Komisionit për mbrojtjen e disertacioneve për gjuhët e huaja në Universitetin e Tiranës. Qysh prej vitit 1988, me vendim të Këshillit të Ministrave, caktohet anëtar i “Komisionit të Lartë për marrjen e gradave dhe të titujve shkencorë” për gjuhët e huaja. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpeliesë. Këtij personaliteti të shkencës shqiptare i është dhënë e drejta që të mund të marrë pjesë si anëtar jurie në mbrojtje doktoratash për gjuhësi në Francë. Nga viti 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris. Jo vetëm mësimdhënia, por edhe hartimi i materialeve të ndryshme didaktike për mësimin e shqipe janë pjesë e interesave dhe kontributit të shquar të prof. Përnaskës. Kjo gjen shprehje në doracakët e fjalorët në tekstet shkollore dhe universitare e pasuniversitare.