Qyteti i Shkupit do të dërgojë ndihma për të prekurit nga tërmeti që goditi qytetin turk Izmir, transmeton Anadolu Agency (AA).
Informata u bë e ditur nga Qyteti i Shkupit në profilin zyrtar në rrjetin social Instagram, duke shpërndarë një foto që thotë: “Shkupi e di, Shkupi bashkëndjen”.
“Shkupi është një qytet që mban mend. Solidariteti është vlera jonë më e lartë. Të hënën, Këshilli i Qytetit të Shkupit do t’u dërgojë ndihmë të prekurve në Izmir dhe deri atëherë, mendimet tona janë me njerëzit nën rrënoja dhe ekipet e shpëtimit”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.
Mesazhet e ngushëllimit iu dërguan popullit turk nga udhëheqësit e institucioneve shtetërore të Maqedonisë së Veriut duke përfshirë presidentin Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, kryeministrin Zoran Zaev, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Kujtojmë se një tërmet me magnitudë 6,6 ballë goditi Izmirin në Egjeun turk të premten, tërmet i cili ndodhi në ora 14:51 sipas kohës lokale (11:51 sipas kohët e Evropës Qendrore) në një thellësi prej 16,54 kilometrash.
Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) në Turqi informoi se numri i jetëve të humbura është rritur në 39, ndërsa mbi 885 të tjerë janë plagosur.