Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, sulmoi homologun francez, Emmanuel Macron, në lidhje me qëndrimin e tij anti-mysliman, duke thënë se ai kishte nevojë për kontroll mendor.
Këtë muaj Macron u zotua të luftojë “separatistët islamikë”, që sipas tij po kërcënonin të merrnin nën kontroll disa komunitete myslimane përreth Francës.
“Cili është problemi i Macron me myslimanët dhe Islamin? Macron ka nevojë për trajtim psikiatrik”, tha Erdogan në një fjalim në një kongres provincial të AK, partisë së tij në qytetin qendror turk të Kayseri. “Çfarë tjetër mund t’i thuhet kreut të një shteti që nuk e kupton lirinë e besimit dhe që sillet në këtë mënyrë me miliona njerëz që jetojnë në vendin e tij, të cilët janë anëtarë të një besimi tjetër?” shtoi Erdogan.
Sot, Presidenti francez ka dhënë leje që kartikaturat e profetit Muhamed, të revistës “Charlie Hebdo”, të shfaqen në muret e ndërtesave qeveritare.
Me shfaqjen e karikaturave, Macron përforcon mesazhin e tij për tolerancë zero ndaj fanatizmit islamik.
Kujtojmë se disa ditë më parë Franca është tronditur nga vrasja e një mësuesi për shkak se gjatë një ligjërate ai u kishte treguar nxënësve karikatura të profetit Muhamed.