Ish – kryeministri serb: Nuk mund të fle, s’është dashur të vrasim civilë në Kosovë

Në Serbi kohëve të fundit në debate televizive kanë filluar të flasin për varrezat masive ku ndodhen eshtrat e shqiptarëve. Këtë temë e ka hapur Ivica Daçiq i cili në një emision televiziv tha se çfarë t’u bëjmë serbëve që po flasin për këto varreza. Daçiq pardje në debatin për Kosovën në Këshill të Sigurimit akuzoi UÇK’ në për krime ndaj serbëve, për çka u godit fort nga ambasadori gjerman i cili e akuzoi se pse asnjëherë s’ka folur për krimet serbe. Por, çfarë kishte thënë për këto krime Nikola Shainoviq ish – bashkë partiaku i Daciqit, i cili mbante pozita të larta në Beograd kur forcat serbe kryenin masakra në Kosovë.

Nikola Shainoviq, njeriu që dikur konsiderohej dora e djathtë e Sllobodan Millosheviqit, në vitin 2009 ishte dënuar më 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit të kryera ndaj civilëve shqiptarë. Haga Shainoviqin më 1999 e kishte akuzuar se mban përgjegjësi që bashkë me Sllobodan Millosheviqin, Dragoljub Ojdaniqin dhe Vllajko Stoijlkoviqin ishin pjesë e ndërmarrejes së përbashkët kriminale që kishte ushtruar terror dhe dhunë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Pas rënies së Millosheviqit, Serbia e kishte kaluar ligjin me të cilin lejonte ekstradimin e qytetarëve të saj në Tribunal Shainoviq nëpërmjet avokatëve të tij kishte negociuar dorëzimin dhe transferin në Hagë. Në qelitë e paraburgimit në Scheveningen kishte arritur në vitin 2003. Pas shpalljes së dënimit më 2009, ku Shainoviq ishte dënuar me 22 vjet burgim, mbrojtja e tij e kishte apeluar verdiktin duke i bindur gjyqtarët e Hagës që në vitin 2014 t’ia zbresin vendimin në 18 vjet.

Në vitin 2015 pasi i kishte vuajtur 2/3 e dënimit, Shainoviq kishte kërkuar lirim të parakohshëm nga burgu me arsyetimin se kishte pasur sjellje të mirë atje dhe se shëndeti i tij ishte i keq pasi vuante nga diabeti dhe glaukoma. Haga kishte vendosur ta lirojë Shainoviqin.

Ky zyrtar që ishte njëri prej njerëzve kyç për atë që bënte Serbia në Kosovë, përfshirë aksionet policore ushtarake, ka mbajtur pozita të larta shtetërore në qeverinë e Serbisë përfshirë edhe postin e kryeministrit të Republikës së Serbisë në periudhën 1993 -94, ndërkohë që ka shërbyer edhe si Zëvendëskryeministër i Republikës Federative të Jugosllavisë nga viti 1994 -2000.

Shainoviq tani është shpesh pjesë e emisioneve televizive në Serbi ku tregon për periudhën e luftës duke pranuar krimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe vrasjen e civilëve. Ai tani duke bërë një ‘mea culpa” e pranon se Serbia ka vrarë civilë të pafajshëm dhe se për këtë nuk mund as të fle.

“Unë në Hagë, para trupit gjykues jam deklaruar se nuk jam fajtor. Unë kështu jam deklaruar në raport me aktakuzën. Por, arsyeja pse unë them se pse nuk mund të fle i qetë është se mendoj që secili që ka marrë pjesë në ngjarje kaq dramatike, në një krizë të tej zgjatur, në ngjarje të tilla lufte ku janë vrarë kaq shumë njerëz, nuk mund të thotë se unë këtu nuk kam asnjë përgjegjësi sepse ne kemi qenë një shtet i organizuar” ka thënë ai.

Shainoviq në një televizon të Beogradit kishte shtuar se serbët s’kanë guxuar t’i bëjnë ato krime.

“Kur për një moment i lëmë të gjitha palët pjesëmarrëse anash, krimet që i kanë bërë qytetarët tanë, nuk kanë guxuar t’i bëjnë. Ata që kanë dashur ta mbrojnë vendin e tyre e kanë pasur përballë UÇK’në aty është dashur ta tregojnë forcën e tyre dhe atdhedashurinë, e jo kundër civilëve dhe kjo është arsyeja që unë e bart mbi vete atë barrë”.