COVID-19, Spanja vendi i parë europian që kalon pragun e një milion rasteve

Spanja u bë sot zyrtarisht anëtarja e parë e BE-së që kalon pragun historik të një milion rasteve të COVID-19, ndërkohë që kufizimet po shumëfishohen në vend për të frenuar valën e dytë të epidemisë.

Ministria spanjolle e Shëndetësisë njoftoi në mbrëmje 16 973 raste të reja ditore, duke e çuar totalin në 1 005 295, që nga rasti i parë i zbuluar më 31 janar, në ishullin Gomera, në arkipelagun Kanarie.

Spanja, me një popullsi prej rreth 47 milionë banorë, është vendi i gjashtë në botë që kalon pragun e një milion rasteve, pas SHBA-së, Indisë, Brazilit, Rusisë dhe Argjentinës.

Ndërsa punonjësit e shëndetësisë i tremben ngopjes së mëtejshme të spitaleve, ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa tha dje se qeveria po konsideron masa të reja, përfshirë vendosjen e një shtetrrethimi, siç ka bërë tashmë Franca, Belgjika dhe Sllovenia, si edhe dy rajone në Itali.