Pavarësisht faktit se SHBA po përjeton një rritje të frikshme të rasteve të reja me Covid-19 dhe të vdekjeve po ashtu, eksperti i sëmundjeve infektive Anthony Fauci thotë se gjërat do të duhet të shkojnë shumë keq, në mënyrë që ai dhe ekspertët e tjerë të shëndetësisë të mendojnë për një rikthim në izolim kombëtar.
Rastet e reja në Amerikë i kanë kaluar 55 mijë brenda 24 orëve, në rritje me 60% krahasuar me muajin shtator dhe ekspertët thonë se janë të përgatitur për një përkeqësim të situatës.
Deri më tani, 8.1 milionë amerikanë rezultojnë të prekur nga koronavirusi dhe mbi 219 mijë kanë humbur jetën, sipas Universitetit Johns Hopkins.
“Ne duam që ti përdorim masat kufizuese si një mënyrë për të rihapur ekonominë, por duke qenë të sigurt” tha Fauci gjatë një interviste, duke pranuar se për momentin, një tjetër izolim dhe mbyllje kombëtare nuk është një opsion për Shtetet e Bashkuara.
Në mbarë vendin, vetëm Missouri dhe Vermonti kanë shënuar një rënie të rasteve të reja ditore dhe përmirësim të situatës. Në Connecticut dhe Florida, numri i të infektuarve javën e shkuar është rritur me 50%. 27 shtete kanë raportuar rritje të shifrave nga 10-50%.