Në tekstin me titull “Maqedonia përballet me sfidën demografike”, gazeta londineze “Financial Times” shkruan se anëtarja më e re e NATO-s, Maqedonia e Veriut, sipas disa statistikave, ndoshta ka humbur ¼ e popullatës së saj, kur si vend i vetëm në paqe u nda me Jugosllavinë në vitin 1991. Gazeta citon Presidentin Stevo Pendarovski, sipas të cilit, rënia e popullatës është sfida më e madhe ballkanike. “Me regjistrimin e vitin 2002 në vend janë regjistruar thuajse 2.1 milionë njerëz.
Analizat e regjistrave të të lindurve dhe të vdekurve, si dhe bazat e të dhënave tatimore e të tjera, kanë detyruar shumë ekspertë të konkludojnë se popullsia reale aktualisht është afër 1.6 milion – thotë gazeta londineze, duke transmetuar qëndrimin e presidentit Pendarovski se “trendet janë të qarta dhe se askush nuk parasheh se rënia e popullatës do të ndalet apo do të ngadalësohet”. Gazeta “Financial Times” potencon se sikurse në vendet tjera evropiane, plakja e popullatës mbingarkon financat publike të vendit.
FINANCIAL TIMES
“Maqedonia ka rreth 350.000 pensionistë, kurse subvencionet e fondeve shtetërore pensionale ishin në nivelin prej 4.5% nga BPV-ja e vendit në vitin 2018. Branimir Jovanoviq, një economist nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike dhe ish-këshilltari I Ministrit të Financave, thotë se rënia e popullatës dhe emigrimi zvogëlon edhe numrin e kapitalit njerëzor dhe potencialin afatgjatë për rritje ekonomike”
Gazeta londineze e transmeton edhe deklaratën e Ministres së Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, sipas së cilës, rreth 200.000 bullgarë janë kthyer në vend në Mars të këtij viti, pas përhapjes së pandemisë.
Sipas Financial Times, gjëja e parë që duhet të bëhet në Maqedoninë e Veriut, është që të vërtetohet numri i saktë i njerëzve që jetojnë në vend, pas thuajse dy dekadave pasigurie për numrin e popullatës.