Zgjedhjet lokale pa balotazh, partitë të ndara

Zgjedhjet lokale pa balotazh cenojnë procesin demokratik. Ky qëndrim i kryeministri Zaev vjen pas kërkesës së kreut të VMRO-së Mickoski i cili kushtëzon ndryshimet në Kodin Zgjedhor me ndryshimin e modelit të zgjedhjeve lokale. Zaev thotë se ky model zgjedhor duhet diskutuar, por në rast se rrezikohet legjitimiteti i përfaqësuesve, nuk do të merret në konsideratë.

E drejta e votës dhe vendimit se kush do të bëhet deputet, kryeministër ose president është e drejta më e shenjtë në demokraci. Nëse një demokraci të tillë e shkurtojmë dhe bëjmë që shumica e pashprehur të zgjedhë, atëherë procesi bëhet i diskutueshëm. Njerëzit çdo ditë e më pak dalin në votime, por në vendin tonë janë numrat më të mëdhenj. Kur një kandidat fiton me vota nën 51 për qind, vërtet mbetet e diskutueshme zgjedhje e përfaqësuesve”-tha Zoran Zaev, Kryeministër. 

Nga BDI thonë se marrëveshja politike është për model zgjedhor me lista të hapura në zgjedhje lokale. Ideja për zgjedhje pa balotazh duhet diskutuar brenda në parti dhe mes partnerëve.

BDI:

“Çdo ide tjetër për ndryshime të tjera eventuale në Kodin Zgjedhor do të jetë objekt i analizave dhe shqyrtimeve brenda partisë”

Opozita shqiptare nuk mbështet idenë për zgjedhje lokale pa balotazh. Sipas tyre, rëndësi duhet t’i kushtohet pastrimit të listës zgjedhore dhe listat e hapura për këshilltarë komunal.

ASH-AAA:

“Si fillim të pastrohet lista zgjedhore dhe pastaj të diskutohet modeli zgjedhor. Ne mbështesim modelin me lista të hapura për këshilltarë. Balotazhi për kryetar komune duhet të mbetet”. 

Në kuadër të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor Qeveria ka paralajmëruar edhe përfshirjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së brenda dispozitave ligjore. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq ka paralajmëruar dorëzimin e propozimit në Kuvend para festave të fund vitit.