Kapacitetet spitalore janë zvogëluar dukshëm për një kohë të shkurtër pasi në secilën nga pesë ditët e fundit në vendin tonë janë regjistruar më shumë se 300 raste të reja më virus korona. Në rast se numri i të infektuarve do të jetë në të njëjtin nivel edhe gjatë ditëve në vazhdim, në funksion do të vihet spitali i montuar në oborrin e Klinikës Infektive. Në këtë spital në dispozicion janë 70 krevate, shifër e përafërt me krevatet e lira nëpër spitale deri pak ditë më parë. Nuk dihet akoma nëse do të bëhet në kohë ndërtimi i 19 spitaleve të tjera të montuara që u paralajmëruan për në 16 komuna në vend. Për këtë nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë përgjigje konkrete, mirëpo theksojnë edhe një herë shkaktarin e vonesës.
Ministria e Shëndetësisë
“Të gjitha procedurat për të cilat është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë kanë përfunduar, ndërsa tani është radha e Bankës Botërore të finalizojë procedurat e saj për ndërtimin e spitaleve dhe buxhetin, i cili vjen prej tyre. Vonesa është shkaktuar për shkak se ish-zëvendës ministrja e Financave nga VMRO-DPMNE, Gordana Dimitrieska Koçoska, nuk dëshironte të nënshkruante huamarrjen.”
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviq, tha se personeli mjekësorë në këtë spital është mirë i organizuar edhe nëse trendi i rritjes vazhdon.
“Kapacitetet në Klinikën Infektive janë pothuajse të plotësuara. Sot ka ende le të themi 7,8,10 krevate. Por në plotësimin e parë të këtyre vendeve, edhe nëse ajo ndodh në orën 12 të natës, do të vihet në përdorim spitali i montuar. Vijnë infermiere, funksionojnë përmes sistemit të rotacionit. Problemi me personelin ka qenë gjithmonë i pranishëm në vendin tonë. Megjithatë, gjithashtu duhet të potencohet se barra nuk duhet të mbesë e gjitha mbi personelin shëndetësorë, por mbi të gjithë që paraprakisht të bëhet parandalim- deklaroi Milena Stevanoviq- drejtoresh e Klinikës Infektive.
Megjithatë, sistemi i rotacionit nuk mjafton për të plotësuar nevojat në spitalin e Strumicës. Drejtori i këtij spitali, Naqe Gogov, kërkoi kapacitete plotësuese spitalore, si hapësira ashtu edhe personel. Dy mjekë, tre infermiere dhe dy administratorë në këtë spital kanë rezultuar të infektuar me virus korona. Vende të lira nuk ka tashmë as në spitalin e Prilepit dhe as në atë të Kumanovës.