NATO do të vazhdojë ta ndihmojë vendin në përballjen me pandeminë, me pako të re në vlerë prej 1,4 milion eurosh, bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg.
Ai shtoi se NATO do ta ndihmojë vendin në përballjen me të gjitha sfidat e sigurisë, përfshirë edhe lajmet e rreme. Gjatë vizitës së parë pas rizgjedhjes në selinë e NATO-s në Bruksel kryeministri Zaev u zotua se deri në vitin 2024 buxheti i Mbrojtjes do ta arrijë standardin e shteteve anëtare të NATO-s, 2% të BPV-së.
“Maqedonia e Veriut do të përfitojë pako ndihmuese nga NATO, 60 respiratorë dhe pajisje tjera të nevojshme në vlerë prej rreth 1,4 milion eurosh. Sfidat e sigurisë me të cilat u përballëm para pandemisë nuk u zhdukën, përballemi me kërcënime hibride, kibernetike dhe lajmet e rreme. NATO është këtu t’i ndihmojë aleatët dhe nuk do të lejojmë kjo krizë shëndetësore të shndërrohet në sfidë të sigurisë- deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
“Maqedonia e Veriut është tërësisht e përkushtuar ndaj obligimeve si anëtar i ri i NATO-s. Përskaj sfidave ekonomike shkaku i pandemisë, mbetemi të vendosur ta rrisim buxhetin tonë të mbrojtjes për 0,4% të BPV-së çdo vit dhe deri në vitin 2024 ta bëjmë këtë buxhet 2% të BPV-së. Qëllimi i kësaj është të rrisim kapacitetet, aftësitë dhe standardet profesionale të ushtrisë sonë dhe të kontribuohet në misionet e përbashkëta- pohoi Zoran Zaev, Kryeministër.